Pa Messin, Argjentina barazon me Kilin

Në një rimeç të play-offit për vend të tretë të Kupës së Amerikës, Argjentina dhe Kili barazuan në një ndeshje miqësore.

Argjentina dhe Kili arritën vetëm barazim pa gola në ndeshjen miqësore në Los Angeles të enjten, e cila megjithatë ishte mjaft argëtuese për tifozët e dy Kombëtareve dhe shikuesit e tjerë.

Argjentina fitoi kundër Kilit këtë verë në ndeshjen për vendin e tretë të Kupës së Amerikës, por këtë herë asnjëra skuadër nuk arriti ta bëjë dallimin në “Los Angeles Memorial Coliseum”.

Të dyja skuadrave u munguan disa lojtarë të rëndësishëm dhe ndeshja u zhvillua para një turmë të vogël, e cila megjithatë ishte mjaft e zjarrtë.

Paulo Dybala dhe Lautaro Martinez i patën mundësitë më të mira të Argjentinës dhe Lucas Martinez e goditi shtyllën e portës, përderisa Cesar Pinares shkoi shumë afër golit për Kilin.

Pa lojtarë si Lionel Messi, Sergio Aguero dhe Angel Di Maria, Argjentina shfaqi shenja të mira, veçanërisht në pjesën e parë të ndeshjes. Në përballjen me një Kili gjithashtu të gjymtuar nga lëndimet, Argjentina dukej e rrezikshme dhe pati shumë mundësi për të kaluar në epërsi gjatë 45 minutave të parë.

Lautaro Martinez kishte qenë mbresëlënës gjatë Kupës së Amerikës dhe sulmuesi i Interit u duk sërish i tillë kundër Kilit. Shumica e momenteve më të mira të Argjentinës erdhën përmes 22-vjeçarit, i cili mund të kishte shënuar në të dyja pjesët, si dhe mund ta kishte siguruar edhe një asistim për Paulo Dybalan.

I ndëshkuar me karton të verdhë në minutën e shtatë të ndeshjes, Charles Aranguiz i Kilit ishte me fat që nuk u largua nga ndeshja në mes të pjesës së parë. Ai e bëri një ndërhyrje të ashpër, megjithatë vetëm iu tërhoq vërejtja nga gjyqtari.

Të martën, Argjentina do ta vizitojë San Antonion për një ndeshje miqësore me Meksikën, ndërsa Kili do të përballet me Hondurasin në San Pedro Sula.

loading…