Ozil deklarohet pas fitores së Arsenalit në derbi ndaj Tottenhamit

Mesfushori turko-gjerman, Mesut Ozil nuk ishte pjesë e skuadrës së Arsenalit që e mposhti dje Tottenhamin 4-2 për shkak të një problemi në shpinë, teksa 29 vjeçari përmes rrjeteve sociale ka shprehur lumturinë e tij për fitoren e derbit të Londrës Veriore.

Ozil e ka thyer heshtjen e tij duke i uruar bashkëlojtarët e tij por nuk ka dhënë detaje për natyrën e lëndimit që e ka pësuar, derisa trajneri Unay Emery konfirmoi se dëmtimi në shpinë i pamundësoi aktivizimin ish lojtarit të Real Madridit.

“Krenar me gjithë skuadrën. Londra Veriore është e kuqe”, shkruajti shkurt Ozil në Twitter.

Ozil ishte kritikuar ashpër për paraqitjen e tij në ndeshjen me Wolwes që kishte përfunduar në barazim, teksa mbetet të shihet nëse do të rikthehet për ndeshjen e rradhës që Arsenali e zhvillon të mërkurën në “Old Trafford” përballë Manchester Unitedit.

Arsenali ka një ecuri fantastike prej 19 ndeshjeve pa humbje në të gjitha garat, kurse për momentin renditet në pozitën e 4-të në Premier League me 30 pikë, aq sa ka edhe rivali i qytetit, Tottenhami.