OVL reagon ashpër ndaj Speciales: Do ta dërgojmë në Kushtetuese, do ta ndalojmë këtë të keqe

Sekretari dhe shtruesi i detyrës së Organizatës së Veteranëve të Luftës të dalë nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës, Faton Klinaku, e ka cilësuar si politike Gjykatën Speciale dhe ka thënë se do e dërgojë në Gjykatën Kushtetuese.

Klinaku një reagim të tillë e ka bërë nëpërmjet ‘Facebook’-ut, në të njëjtën ditë kur pritej konfirmimi i aktakuzave ndaj kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veselit dhe presidentit Hashim Thaçi.

” Për që është Gjykatë Speciale politike iu kemi treguar pa u themeluar dhe qysh në kohën e themelimit të saj; Për që është edhe pa mandat dhe vepron kundërligjshëm, edhe këtë ua kemi thënë dhe për këtë jemi duke punuar për ta dërguar në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës”, thuhet në postimin e Klinakut.

Tutje, Klinaku e ka quajtur edhe shantazhuese Gjykatën, duke iu referuar rastit të aktakuzës së ngritur ndaj presidentit Thaçi.

“Për që është Gjykatë e shantazheve, kjo po merret vesh sidomos tani me mos tregimin se a u konfirmua apo u hodh poshtë aktakuza ndaj presidentit të Kosovës”, shkruhet tutje në reagimin e pjesëtarit të OVL-së.

Reagimi i plotë:

Për që është Gjykatë Speciale politike iu kemi treguar pa u themeluar dhe qysh në kohën e themelimit të saj;
Për që është edhe pa mandat dhe vepron kundërligjshëm, edhe këtë ua kemi thënë dhe për këtë jemi duke punuar për ta dërguar në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës;
Për që është Gjykatë e shantazheve, kjo po merret vesh sidomos tani me mos tregimin se a u konfirmua apo u hodh poshtë aktakuza ndaj presidentit të Kosovës;
Pak ka rëndësi se a japin miliona nga BE, por rëndësi ka që këtë të keqe ta ndalojmë NE.