Osmani takohet me Ahmetin në Maqedoni të Veriut, flasin për të ardhmen evropiane të të dyja vendeve

Kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti, sot ka pritur në takim presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, e cila ndodhet për vizitë zyrtare në Republikën e Maqedonisë së Veriut.

Në fokus të bisedës mes Ahmetit dhe Osmanit ishin marrëdhëniet bilaterale mes dy vendeve, perspektiva evropiane, marrëveshja e arritur me Serbinë si dhe situata në rajon.

Duke e përgëzuar për procesin e liberalizimit të vizave si një hap shumë i rëndësishëm i Kosovës, Ahmeti dhe Osmani kanë theksuar se në këto çaste vendimtare për të ardhmen evropiane të të dyja vendeve, është me rëndësi përforcimi i bashkëpunimin dhe konsolidimit të veprimeve deri në finalizimin e qëllimeve.

Procesi i ndryshimeve kushtetuese është cilësuar si i domosdoshëm për rrugën evropiane, të cilën  e ka nisur Maqedonia e Veriut, ku Ahmeti e ka informuar Osmanin mbi iniciativën e fundit ku të përfshirë janë të gjithë aktorët politikë dhe shoqërorë në vend.

Të dy bashkëbiseduesit kanë vlerësuar se Republika e Maqedonisë së Veriut dhe Republika e Kosovës bashkë duhet të përshpejtojë hapin drejt Evropës, si alternativë e vetme për mbarë rajonin e Ballkanit Perëndimor.

Ahmeti ka shprehur qëndrimin dhe mbështetjen për finalizimin me sukses të dialogut dhe njohjes së ndërsjellë mes Kosovës dhe Serbisë.