Osmani rrezikon të përfundojë në Kushtetuese për Kryeprokurorin e Shtetit, Jahjaga e dekretoi Lumezin brenda 60 ditësh

Kanë kaluar gati gashtë muaj nga data kur Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK) e ka propozuar Blerim Isufajn për Kryeprokuror të Shtetit. Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ende nuk e ka bërë dekretimin e tij.

Zyra e Presidentes e ka pranuar propozimin e Këshillit Prokurorial më 8 prill 2022, vetëm dy ditë pas nominimit të tij. E ndonëse e ka obligim ligjor dekretimin e kryeprokurorit, Vjosa Osmani po e zvarrit këtë çështje deri në pafundësi, shkruan Demokracia.com.

Përveç afatit ligjor prej 60 ditësh për dekretimin e prokurorëve, presidentja Osmani nuk ka ndonjë afat kushtetues dhe ligjor për emërimin e Kryeprokurorit të Shtetit.

Megjithatë, për dallim nga Osmani, ish-presidentja Atifete Jahjaga e kishte respektuar këtë afat dhe e kishte dekretuar ish-kryeprokurorin Aleksandër Lumezi brenda 60 ditëve nga marrja e propozimit nga KPK-ja.

Muaj më parë, zyra e Osmanit kishte shfaqur dyshime se gjatë shqyrtimit të dokumentacionit përcjellës dhe konsultimeve me palët e përfshira në monitorimin e procesit ishin ngritur vërejtje për shkelje procedurale dhe parimore, të cilat pretendonin se mund të kenë ndikuar në procesin përzgjedhës, si dhe për mungesë të dokumenteve të rëndësishme, për të cilat Presidenca kishte kërkuar sqarime.

Më 13 maj, zyra e Osmanit ishte njoftuar me një shkresë zyrtare nga Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës se “njëri nga kandidatët në këtë proces [përzgjedhës], ka bërë kërkesë individuale për vlerësimin e kushtetutshmërisë së këtij procesi dhe njëkohësisht ka kërkuar edhe vendosjen e masës së përkohshme lidhur me emërimin e Kryeprokurorit të Shtetit”.

Ankesë në Gjykatën Kushtetuese kishin parashtruar Shqipdon Fazliu dhe Armend Hamiti. Por, në korrik të këtij viti, Gjykata Kushtetuese i kishte shpallur të papranueshme mbi baza procedurale kërkesat e kandidatëve për Kryeprokuror të Shtetit, Shqipdon Fazliu dhe Armend Hamitit, të cilët e kanë kontestuar kushtetutshmërinë e vendimit të 6 prillit 2022 të Këshillit Prokurorial të Kosovës për propozimin e Blerim Isufajt në pozitën e Kryeprokurorit të Shtetit.

Në procesin për Kryeprokuror të Shtetit i pari kishte dalë Blerim Isufaj, ndërsa Shqipdon Fazliu ishte renditur i dyti, kurse Armend Hamiti i katërti.

“Gjykata, vendosi që kërkesat përkatëse t’i shpallë të papranueshme mbi baza procedurale, sepse parashtruesit e kërkesave nuk i kanë shteruar mjetet juridike, siç është përcaktuar me paragrafin 7 të nenit 113 [Juridiksioni dhe Palët e Autorizuara] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës”, thuhej në vendimin e Kushtetueses, përcjell Demokracia.com.

Të dy kandidatët në kërkesën e tyre drejtuar Kushtetueses kishin pretenduar se vendimi i Këshillit Prokurorial për propozimin e kandidatit për Kryeprokuror të Shtetit është nxjerrë në shkelje të të drejtave dhe lirive të tyre të garantuara me Kushtetutë dhe Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, më 13 qershor kishte dekretuar shtatë prokurorë me mandat fillestar, sipas propozimit të Këshillit Prokurorial të Kosovës.

Ndërsa, ish-kryeprokurorit Aleksandër Lumezi i kishte skaduar mandati më 21 prill.

Aktualisht, ushtrues i detyrës është Besim Kelmendi, i cili i ka kompetencat e plota të Kryeprokurorit të Shtetit./ Demokracia.com/