Osmani reagon për incidentin në Zubin Potok: Akt kriminal që synon përhapjen e frikës, autorët të dënohen

Presidentja e vendit Vjosa Osmani, ka dënuar sulmin e armatosur në afërsi të grupit të të rinjve që kishin dalë për të ecur në malet afër Zubin Potokut.

Në reagimin e saj në Facebook, Osmani ka ftuar organet e rendit që t’i zbulojnë dhe dënojnë autorët e siç e ka quajtur ajo “aktit kriminal”.

Osmani ka thënë se veprimi i tillë synon përhapjen e frikës dhe ndjenjës së pasigurisë në atë pjesë të vendit tonë.

“Dënoj sulmin e armatosur ndaj grupit të të rinjve nga “Kosova Mountain Club” në malet afër Zubin Potokut. Çdo qytetar i Republikës së Kosovës duhet të ndihet i lirë dhe i sigurt gjatë lëvizjes në secilën pjesë të territorit të Kosovës. Ftoj organet e rendit dhe hetuesisë që të vazhdojnë punën në mënyrë që sa më parë të zbulojnë dhe dënojnë autorët e këtij akti kriminal që synon përhapjen e frikës dhe ndjenjës së pasigurisë në atë pjesë të vendit tone”, ka shkruar presidentja në Facebook.

Incidentin e ka rrëfyer udhëheqësi i grupit “Kosovo Mountain Club”, Adnan Beqiraj.

Ai tha se gjatë ecjes kanë hasur në një person i cili, sipas tij, ka shkrepur nga 30 deri në 50 plumba refall. Por nga të shtënat me armë zjarri nuk është lënduar askush dhe grupi ka vendosur të kthehet prapa.