Osmani priti në takim Koordinatoren për Zhvillim të OKB-së, flasin për pandeminë e sigurimin e vaksinës

U.d. Presidentja Vjosa Osmani priti sot në takim Ulrika Richardson, Koordinatore për Zhvillim të OKB-së.

Me këtë rast, Richardson i përcolli urime u.d. Presidentes Osmani për rezultatin në zgjedhjet parlamentare të 14 shkurtit si dhe e uroi atë dhe popullin e Republikës së Kosovës për një proces të qetë e demokratik zgjedhor.

Palët diskutuan për rëndësinë e shndërrimit të pritshmërive të qytetarëve në punë dhe në projekte konkrete.

Në këtë drejtim, u diskutua edhe për avancimin e  pozitës dhe mirëqenies së fëmijëve dhe të grave.

Njëkohësisht, u theksua nevoja për bashkrëndim të politikave publike dhe projekteve të ndryshme zhvillimore me Objektivat e Zhvillimit të Qëndrueshëm.

Në takim u diskutua edhe për rëndësinë e prioritizimit të menaxhimit të suksesshëm të pandemisë si dhe sigurimit sa më të shpejtë të vaksinës, si dhe bashkëpunimit të vazhdueshëm ndërinstitucional në këtë drejtim.