FOTO

Osmani pritet nga Rama dhe Zelensky: Njohja e Kosovës nga Ukraina do të vijë bashkë me fitoren e luftës

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani është pritur në Tiranë nga kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama dhe presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky.

Osmani u përshëndet fillimisht me Zelenskyn, me të cilin shkëmbyen disa fjalë në tapetin e kuq. Më pas, Rama e përqafoi presidenten e Kosovës.

Shefja e shtetit të Kosovës po merr pjesë në Samitin për Ukrainën, që nis në orën 11:30. Aty do të marrin pjesë disa liderë të Europës juglindore.

Para mediave, Osmani tha se Kosova mbështet Ukrainën dhe popullin e saj.

“Rusia është duke bërë invazion ilegal ndaj Ukrainës dhe ne këtë e kemi kundërshtuar duke i vendosur sanksione Rusisë dhe duke Ukrainën, këtë do ta bëjmë edhe tash e tutje. Sot në Samit do të falas për hapat konkret që Kosova po i ndërmerr në këtë drejtim së bashku me aleat dhe do të jemi këtu deri në fitoren e Ukrainës”, u shpreh Osmani.

E pyetur nga gazetarët se a do t’i kërkoj presidentit ukrainas njohjen e Kosovës, presidentja u shpreh se ajo do të vije bashkë me fitoren e Ukrainës.

“Gjithnjë e kemi bërë një kërkesë të tillë dhe do të vazhdojmë ta bëjmë me mirëkuptimin e plotë që Ukraina është në gjendje lufte duke luftuar për lirinë e saj. Jam e bindur që ai moment do të vijë bashkë me fitoren e Ukrainës”, tha Osmani.

Me këtë rast, presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky erdhi për herë të parë në Tiranë.

VIDEO BONUS: Zelensky takohet me Ramën në Tiranë para Samitit për Ukrainën