Osmani për fitoren e Distria Krasniqit: Ngriti sot flamurin e shtetit të saj në piedestalin më të lartë

Presidentja e Respublikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka reaguar pasi Distria Krasniqi fitoi Medaljen e Artë në Lojërat Olimpike “Tokio 2020”. Osmani është shprehur se Krasniqi ngriti sot flamurin e shtetit të saj në piedestalin më të lartë.

“Distria, e para e botës, dëshmoi sot sërish se është e pamposhtur dhe se është krenaria e vendit tonë. Ajo dëshmoi që talenti dhe puna triumfojnë gjithnjë”, shkruan Osmani në Facebook.

Postimi i saj i plotë:

Distria i solli Republikës sonë medaljen e dytë të artë olimpike. Nder e krenari e lumturi e papërshkrueshme.

Ajo e ngriti sot flamurin e shtetit të saj në piedestalin më të lartë. Me suksesin e saj olimpik ajo nderoi një komb të tërë, si dhe e gëzoi fort çdo zemër në Kosovë por edhe shumë të tjera anë e mbanë botës.

Distria, e para e botës, dëshmoi sot sërish se është e pamposhtur dhe se është krenaria e vendit tonë. Ajo dëshmoi që talenti dhe puna triumfojnë gjithnjë.

Sot, nëpërmjet Distrias, Kosova shkëlqeu para tërë botës.

Sot dhe përherë, Kosova do të krenohet me ty. Bravo!  🥇