Osmani nuk ka shumë fuqi brenda strukturës së lartë të LDK-së, vetëm dy deputetë e përkrahën mbremë

Me 162 mijë vota është gruaja më e votuar në Kosovë dhe politikanja e dytë më e votuar pas liderit të Lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurtit.

Kështu, Vjosa Osmani është një eksponent i fuqishëm politik i dalë nga zgjedhjet e 6 tetorit, por një gjë e tillë nuk është reflektim edhe brenda partisë së saj, shkruan lajmi.net.

Osmani e cila ishte kandidate e Lidhjes Demokratike të Kosovës për kryeministre në zgjedhjet e fundit, pas koalicionit me Vetëvendosjen mori postin e të parës së Kuvendit.

Por, as funksioni i lartë institucional i Osmanit si duket nuk e rriti fuqinë e saj brenda Lidhjes Demokratike të Kosovës, njëlloj siç nuk ndodhi as me kandidimin e saj për kryeministre të  vendit nga radhët e partisë.

Kryeparlamentarja Osmani ishte deklarativisht e publikisht kundër në mënyrë eksplicite ndaj mocionit të mosbesimit të inicuar nga partia e saj kundër qeverisë Kurti pjesë e së cilës ishin edhe vetë.

Mocioni u votua. Qeveria ra. E Osmanin nuk e përkrahën më shumë se dy deputetë të Lidhjes Demokratike të Kosovës në gjithë këtë situatë.

Ishin deputetët Ardian Shala e Haxhi Avdyli që ishin në anën e Vjosa Osmanit që të tre bashkë votuan kundër këtij mocioni, derisa vlen të theksohet se edhe ministri i Infrastrukturës, Lumir Abdixhiku ishte në anën e saj.

Osmani në fjalimin e saj të sontëm në Kuvendin e Kosovës por edhe ditët e fundit është shprehur e mllefosur me Lidhjen Demokratike të Kosovës dhe udhëheqësit e kësaj partie.

Ajo ka mospajtime të thella me nënkryetarin e kësaj partie, Agim Veliu dhe gjithashtu edhe me kryetarin e partisë Isa Mustafa.

Në fakt, dy të parët e Lidhjes Demokratike të Kosovës janë shprehur të ashpër me qëndrimet e kundërta të Osmanit dhe LDK-së.

Madje, nënkryetari i kësaj partie Agim Veliu “ia ka treguar derën”, Vjosa Osmanit gjë të cilën e pranoi edhe ajo sonte në fjalimin e saj në Kuvendin e Kosovës.

E për këtë çështje është deklaruar edhe kreu i LDK-së, Isa Mustafa i cili ka thënë se sjellje të tilla duhet të marrin fund.