Osmani ngatërron flamurin slloven me atë sllovak gjatë takimit me Fajonin

Zëvendëskryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme i Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani, dje ka takuar homologen e tij sllovene Tanja Fajon me rastin e shënimit të 30 vjetorit të vendosjes së marrëdhënieve diplomatike në mes të dy vendeve.

Por, ani pse numërojnë tri dekada bashkëpunimi, ky dikaster i Maqedonisë së Veriut duket të ketë problem me njohjen e flamujve.

Kjo u vë re gjatë takimit të dyshes në zyrën e Osmanit kur u ngatërrua flamuri i Sllovenisë me atë të Sllovakisë, njofton Klankosova.tv.

Nuk dihet nëse detaji ishte vënë re nga palët pjesëmarrëse, veçse flamuri sllovak vazhdoi të qëndronte në tavolinë gjatë tërë takimit mes zëvendëskryeministrit të Maqedonisë së Veriut dhe homologes nga Sllovenia.

Tema të bisedës ishin mbështetja e Sllovenisë për anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Evropian, fillimi i negociatave dhe procesi i shqyrtimit sa i përket asistencës specifike që Sllovenia ofron për zbatimin e futjes së reformave të nevojshme.