Osmani në takimin me Lajçak: Epilogu i dialogut Kosovë – Serbi duhet të jetë njohja e ndërsjellë

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani sot ka takuar të dërguarin e Bashkimit Evropian për dialogun, Miroslav Lajçak, me të cilin ka diskutuar për zhvillimet e fundit në procesin e dialogut Kosovë – Serbi, dhe zhvillimet e fundit në rajon.

Përmes faqes zyrtare të Presidencës bëhet e ditur se Osmani ka theksuar se suksesi i këtij procesi nuk është i rëndësishëm vetëm për Republikën e Kosovës, por edhe për të gjithë rajonin.

“Ajo konfirmoi edhe njëherë se Kosova mbetet palë e përkushtuar dhe konstruktive në dialog. Në veçanti, ajo theksoi nevojën për përçim të qartë të mesazhit se epilogu i këtij procesi duhet të jetë njohja e ndërsjellë”, thuhet në njoftim.

Në takim, Presidentja ka theksuar gjithashtu urgjencën e adresimit të tendencave destabilizuese në rajon, duke potencuar se zhvillimet e fundit në rajon nuk mund të shihen vetëm nga prizmi i çështjeve të Ballkanit Perendimor, por si një kundërvënie e drejtpërdrejt ndaj vlerave, të cilat i përfaqëson Bashkimi Evropian dhe shoqëritë demokratike.

Në anën tjetër, bëhet e ditur se Lajçak ka vënë theks tek nevoja për aktivizim të BE-së në rritjen e kredibilitetit të procesit të zgjerimit dhe konfirmimin e së ardhmes Evropiane për Kosovën dhe Ballkanin Perëndimor.

“Ai theksoi se ka hapësirë për progres në kuadër të dialogut, gjersa potencoi rëndësinë strategjike të këtij procesi për gjithë BE-në”, thuhet në njoftim.