Vjosa Osmani është deklaruar para mediave lidhur me zhvillimet e fundit në vend, pas takimit që pati me presidentin e Këshillit të Evropës, Charles Michel.
Ndër të tjerash, Osmani deklaroi se Republika e Kosovës është treguar jo vetëm si palë pjesëmarrëse, por edhe konstruktive në dialogun me Serbinë.
“Çdoherë në nivelet më të larta Kosova është ulur përballë Serbisë, pavarësisht se kush është përcaktuar si përfaqësues i tyre. Duke dëshmuar kështu që qëllimi ynë është që të kemi raporte të mira ndër fqinjësore”, tha Osmani.
Presidentja Osmani tha gjithashtu se kanë ndodhur tashmë disa takime në nivel liderësh në Bruksel, ku Kosova jo vetëm që ka marrë pjesë, por ka vënë përpara propozime konkrete që të sillnin sa më shumë paqe dhe më shumë stabilitet për gjithë rajonin.
“Është shumë me rëndësi që të flasim se cila është zgjidhja e vetme që e vulos paqen afatgjate në mes dy vendeve. E ajo është njohja reciproke. Vetëm kur të shohim paqen afatgjate përpara, po ashtu do të shohim hapa konkret”, shtoi presidentja Osmani.







