Osmani e kënaqur me miratimin e Deklaratës për të pagjeturit, edhe pse ajo u kritikua ashpër në Kosovë

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, është shprehur e kënaqur që Kosova dhe Serbia miratuan javën e shkuar Deklaratën për të zhdukurit, megjithatë ka shprehur pesimizëm në zbatimin nga ana e Serbisë, duke u bazuar në të kaluarën e saj.

Në një deklaratë për BBC-në të premten në Britani ku Osmani po qëndron për ceremoninë kryesore të kurorëzimit të Mbretit Charles III, presidentja ka thënë se shpreson që me ndihmën e ndërkombëtarëve të arrihet sukses në zbatimin e deklaratës.

“Besoj se java e shkuar ka qenë e suksesshme, veçanërisht në një çështje të veçantë, që ishte miratimi i Deklaratës për personat e zhdukur, që janë zhdukur me forcë gjatë luftës. Është çështje që e kam shtyrë përpara dhe si Kosovë kemi investuar sepse kemi mbi 1600 familje që ende i kërkojnë më të dashurit e zhdukur nga lufta. Për këtë arsye llogarisim mbështetje shtesë nga Mbretëria e Bashkuar, që është ndër shtetet me rol kryesor në mbështetjen tonë. Deklarata është miratuar por zbatimi është kyç dhe fatkeqësisht Serbia s’ka të kaluar të mirë në implementim. Shpresoj që me ndihmën e aleatëve të mund t’i japim fund plagës së shoqërisë sonë dhe që nënat të kenë vend ku mund t’i vendosin lulet për fëmijët e zhdukur”, ka thënë Osmani.

Ajo ka thënë se ndihet e nderuar që përfaqëson Kosovën në ceremoninë e rëndësishme në Mbretërinë e Bashkuar. Ka thënë se Mbreti Charles III ka lidhje të veçantë me Kosovën dhe se e di që ai ka në zemër çështjen e personave të zhdukur me forcë në luftë dhe të viktimave të dhunës seksuale.

Në takimin e 2 majit në Bruksel, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, miratuan Deklaratën për të zhdukurit. Sipas deklaratës, puna do të mbikëqyret nga një komision i përbashkët i kryesuar nga BE-ja dhe do të mbikëqyret nga Kryqi i Kuq. Gjithashtu, është kërkuar qasje e plotë në të gjithë dokumentet, incizimet dhe vende të tjera ku mund të ketë informacione për ta bërë sa më të lehtë gjetjen e të zhdukurve nga periudha 1 janar 1998 deri më 31 dhjetor 2000.

Kjo deklaratë është kritikuar ashpër në Kosovë, pasi që ishte hequr termi të zhdukurit me dhunë. Po ashtu ka pasur edhe kritika për amnistimin e krimeve serbe.