Osmani dhe ambasadori Kosnett ngritin flamurin amerikan për nder të 4 Korrikut

Kryetarja e Kuvendit, Vjosa Osmani ka uruar ShBA’në për Ditën e Pavarësisë.

Osmani së bashku me ambasadorin amerikan në Kosovë, Philip Kosnett para ndërtesës së Kuvendit kanë ngritur flamurin e ShBA’së i cili do të valvitet deri më 6 korrik.

Kryekuvendarja Osmani me këtë rast ka rikujtuar që miqësia e Kosovës me ShBA’në është e një rëndësie strategjike dhe e përhershme.

Mesazhi i Kryetares së Kuvendit Vjosa Osmani

“Vlerat e popullit amerikan, të theksuara në Deklaratën e Pavarësisë së SHBA-ve, nga e cila është frymëzuar edhe Deklarata jonë e Pavarësisë, janë frymëzim yni i përhershëm. Jemi krenar që në krah tonin kemi vendin simbol të demokracisë dhe të të drejtave të njeriut. SHBA-të janë përveç se vend mik, edhe partner strategjik i yni në gjithë rrugëtimin tonë për ta bërë Kosovën shtet të pavarur. Vendi ynë sot është i lirë edhe shkaku i kontributit të madh të Amerikës, miqësinë me të cilën na e la testament presidenti historik dr.Ibrahim Rugova. Kosova në miqësi të përhershme me Amerikën është referencë e përhershme e jona!Popullit amerikan, urime 4 Korrikun! Zoti e bekoftë Amerikën, Zoti e bekoftë popullin amerikan!”