Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në Samitin për Demokraci të Kopenhagës teksa ka folur për mbrojtjen dhe forcimin e demokracisë e po ashtu për rëndësinë e integrimit të Kosovës në Bashkimin Evropian, ka thënë se nga BE-ja s’janë duke pranuar asnjë rekomandim se çfarë duhet të bëjnë për t’u anëtarësuar në BE.

Sipas Osmanit, përmes kësaj qasje BE-ja është duke krijuar “një bllokadë”.

“Për kundër të gjithave, Bashkimi Evropian nuk i ka dhënë ndonjë mesazh popullit që ka ndonjë shpresë e po ashtu të na tregojë se çfarë të bëjmë. Pra, nuk po na tregon se çfarë duhet të bëjmë, përkundër kësaj ka një bllokadë, një mur – ndoshta për arsye puro politike, për çështje të brendshme politike të disa vendeve”.

Ajo ka shtuar se, “në anën tjetër kjo po rrezikon dhe paqen e po ashtu stabilitetin në Ballkanin Perëndimor”.

Teksa ka kërkuar nga NATO-ja dhe BE-ja që të bëjnë një “politikë të dyerve të hapura”, ndaj Kosovës.

“NATO-ja edhe BE-ja, të aplikojnë një politikë të dyerve të hapura për demokracitë e mirëvendosura si vendi im. Duke siguruar që asnjë rajon të mos mbetet i nënshtruar ndaj skemave keqdashëse të Putinit”, ka thënë ajo.

“Aplikimi i Kosovës në BE, as s’është trajtuar”

Ajo tutje ka pohuar se ndonëse Kosova ka aplikuar për t’u anëtarësuar në BE – aplikimi i saj as s’është trajtuar.

“Kemi aplikuar për anëtarësim në Bashkimin Evropian, por aplikimi as nuk është trajtuar akoma. Gjë që është mesazh shumë i vështirë për ta sqaruar sepse bashkë me disa vende të tjera në rajon, ne kemi 100 për qind përputhshmëri më të gjitha politikat e sigurisë së përbashkët dhe asaj të jashtme”.

E para e shtetit, ka potencuar se asnjëherë Kosova s’ka qenë shteti që ka sulmuar një vend tjetër.

“Në historinë tonë asnjëherë se kemi sulmuar ndonjë vend tjetër. Por, gjithmonë kemi qëndruar drejt ndaj forcave keqdashëse gjenocidale, sulmuese që kanë sulmuar popullin tonë dhe do të vazhdojnë ta bëjnë këtë për aq sa është e nevojshme dhe arsyet janë të qarta – paqja është ajo që dërgon drejt demokracisë, e demokracia dërgon në prosperitet”.

Sipas saj, për Kosovën e ardhmja në familjen euroatlantike është vetë realiteti që do ta fortifikojë demokracinë dhe sigurinë e Kosovës.

“Duke i hapur dyert për këto aleanca, vendi ynë do të bëhet partner i palëkundur që asnjëherë nuk e merrë të mirëqenë demokracinë dhe lirinë dhe është e gatshme të paguaj secilin çmim për t’i mbrojtur këto vlera”.

Osmani: Mungesa e baraspeshës në dialog po e minon atë

Osmani, foli edhe për marrëveshjet që kanë me Serbinë duke thënë se nuk mund t’i kërkohet Kosovës të implementojë çdo gjë, e Serbisë t’i jepet dritë e gjelbër të bëjë çdo gjë që dëshiron.

“Kemi aplikuar për Këshillin e Evropës, i kemi kaluar dy faza me suksese dhe tash po na kërkohet që duhet të implementohet Asociacioni, mirë por a do ta bëjë Serbia pjesën e saj paralelisht, që do të thotë vota për Kosovën në Këshill të Evropës, askush nuk ia kërkon këtë Serbisë. Kemi një mungesë totale të baraspeshës që minon kredibiltetin e dialogut”.

Ajo theksoi se Kosova s’është duke ikur nga obligimet e marrëveshjes, por që përmendi deklaratat e Serbisë, të cilat të bëjnë konfuz nëse ka marrëveshje apo jo mes dy vendeve.

“Në secilën marrëdhënie kontraktuale ka dy palë dhe nëse njëra palë nuk e zbaton asnjë prej pikave të saj, por që e minon marrëveshjen dhe në rastin e Serbisë edhe publikisht e deklaron që nuk do ta zbatojë dhe që nuk e pranon, atëherë çështja është se a ka marrëveshje?”.

Osmani për krijimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, deklaroi se duhet të bëhet me njohjen e Serbisë ndaj shtetit të Kosovës.

“Nuk po ikim nga obligimet që lindin nga ajo marrëveshje sa i përket Kosovës, por që edhe Serbia duhet të veprojë njëkohësisht. Obligimi kryesor nga ajo marrëveshje ka të bëjë me të drejtat e komuniteteve pakicë, posaçërisht krijimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, por kjo është e kushtëzuar me Serbinë që të njohjen de facto paralelisht dhe njëkohësisht”.

Në bazë të agjendës, ministrat e Punëve të Jashtme të 46 vendeve anëtare të Këshillit të Evropës do të mbajnë sesionin pranveror më 17 maj 2024 që përkon me 75-vjetorin e themilimit të organizatës kryesore të kontinentit evropian për të drejtat e njeriut, por Kosova nuk është në agjendë.

Kjo ka të ngjarë të çojë në shtyrjen e vendimmarrjes finale për vendin e vogël ballkanik – ndoshta – për të paktën një vit, nëse jo më shumë, përveç nëse bëhet progres drejt Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.