Presidentja e Kosoves

Osmani 4 mijë e Wulff 700 euro, presidenti gjerman ishte dorëhequr për paratë që i mori para se të bëhej i pari i shtetit

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ia kishte marrë buxhetit të shtetit rreth 4 mijë euro për shpenzime të udhëtimit nga viti 2011 deri më 2014, gjatë periudhës sa ishte deputete nga radhës e Lidhjes Demokratike të Kosovës. Skandali u thellua edhe më shumë kur u kuptua se Osmani këto para i kishte marrë nën arsyetimin se jeton në Mitrovicë, por atë kohë banonte në Prishtinë me bashkëshortin e saj, Prindon Sadriun. Ky i fundit, pas raportimeve për këto shpenzime të Osmanit, mediat i quajti edhe “ndërmarrje e përbashkët kriminale”.

Pikërisht në kohën kur Osmani merrte para nga buxheti i shtetit për shpenzimet e udhëtimit, presidenti i një shteti shumë të fuqishëm, siç është Gjermania, Christian Wulff, kishte dhënë dorëheqje në vitin 2012 nga pozita e tij për vetëm 700 euro.

Prokurorët e këtij shteti dyshonin se Wulff e kishte pranuar ofertën e një producenti filmash për të paguar udhëtimin e familjes së tij në festivalin e famshëm të birrës “Oktoberfest” në Mynih, gjatë vitit 2008, raporton Demokracia.com.

Atë kohë, Wulff njëjtë si Osmani, mbante një pozitë tjetër. Ai shërbente si kreu i shtetit federal të Saksonisë. Në atë pozicion i njëjti kishte ndihmuar producentin e filmave për një projekt të tij.

Prokurorët vërejtën një lidhje të drejtpërdrejtë mes udhëtimit të familjes së tij dhe lobimit që e bëri për producentin e filmit.

Shuma që producenti në fjalë kishte paguar nuk ishte shumë e lartë, rreth 700 euro. Megjithatë, mjaftonte kjo që Wulff të akuzohej zyrtarisht për korrupsion dhe të jepte dorëheqje disa vite më vonë, kur u bë president.

Edhe Osmani, njëjtë si ish-presidenti gjerman Wulff, i pranoi 4 mijë euro nga shteti kur mbante një pozitë tjetër, atë të deputetes. Ndonëse kishte vendim të kryetarit të Kuvendit për këtë çështje, për shkak të konsiderohet si abuzim me paranë publike dhe pushtetin, shumë deputetë, përfshirë këtu edhe vetë presidenten Osmani tani po deklarojnë se nuk e kanë ditur.

Presidentja e shtetit këto para përveç se i mori kur jetonte në kryeqytet, ku edhe ndodhen objektet e institucioneve kryesore, ajo u arsyetua duke thënë se nuk e ka ditur që të hyrat po deponoheshin në xhirollogarinë e saj bankare.

Demokracia.com gjatë së premtes ka raportuar se presidentja dhe të gjithë deputetët e tjerë kanë qenë në dijeni në momentin kur i kanë përfituar këto para, pasi që çdo deputet informohet rregullisht për të hyrat e tyre deri në detaje.

Dokumenti i siguruar nga Demokracia.com dëshmon se presidentja Osmani dhe shumica e deputetëve kanë mashtruar qytetarët kur kanë deklaruar se nuk e kanë ditur që kanë marrë kompensim për udhëtimet e tyre.

Ndërkohë, dalja në publik e këtyre shpenzime e ka nervozuar shumë bashkëshortin e presidentes Osmani, Prindon Sadriun.

Ky i fundit i ka ofenduar gazetarët duke i quajtur “ndërmarrje e përbashkët kriminale”, gjë për të cilën ka marrë reagime nga organizatat më të fuqishme në Evropë, të cilat i kanë kërkuar atij, presidentes Osmani, kryeministri Kurti dhe Lëvizjes Vetëvendosje që ta ndalin etiketimet dhe sulmet ndaj mediave./Demokracia.com/