Organizohet ecje në sheshin “Zahir Pajaziti” si shenjë solidarizimi me Adriana Matoshin

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, njëherësh edhe aktore, Adriana Matoshi, sot ka bërë të ditur se i është rikthyer tumori në tru, pas nëntë vjetësh.

Lajmin e ka bërë të ditur vetë Matoshi përmes një postimi në Facebook, nga ku mori përkrahje të madhe nga shumë njerëz, ndër ta edhe fytyra publike.

Andaj me qëllim solidarizimi me aktoren, nesër do të organizohet një ecje nga sheshi “Zahir Pajaziti” deri te Teatri Kombëtar në Prishtinë, në ora 12. Iniciativë kjo e quajtur “Ecim me ty, Adriana Matoshi”.

“Në nder të aktores së mirënjohur dhe shumë të dashur për gjithë publikun shqipfolës, Adriana Matoshi, e cila përsëri u diagnostikua me tumor në tru, organizohet ecja nga Sheshi Zahir Pajaziti deri te Teatri Kombëtar në Prishtinë”, thuhet në lajmërimin e organizimit.

“Duam që me anë të kësaj ecje, të solidarizohemi me sfidën e Adrianës, për të cilën lutemi të gjithë që ta fitojë si çdo peripeci që e ka kaluar në jetë. Ftoni të gjithë miqtë, artdashësit, dhe familjarët të cilët kanë dëshirë ta përkrahin Adrianën në këtë luftë dhe t’i tregojmë që jemi të gjithë bashkë me të”, thuhet tutje.