Organizimet e Qeverisë për Pavarësi – Koncerti i Filarmonisë, rreshti i parë pothuajse i zbrazët

Në të gjitha organizimet, në rreshtin e parë karriget janë të rezervuara për personat më të rëndësishëm që do të marrin pjesë në një organizim të caktuar, mirëpo në koncertin solemn të Filarmonisë së Kosovës, të organizuar nga qeveria në kuadër të aktiviteteve për shënimin e 16-të vjetorit të pavarësisë së vendit, këto vende – në masë të madhe – janë të zbrazëta.

Në rreshtin e parë zënë vend krerët e institucioneve, përfaqësues të shteteve të ndryshme që kanë ardhur me ftesë të autoriteteve kosovare për të shënuar këtë ditë të rëndësishme për vendin, ambasadorët e vendeve të ndryshme që janë rezident në Kosovë, përfaqësues të partive politike, personalitete të rëndësishme të jetës publike etj.

Mirëpo, në koncertin solemn të Filarmonisë së Kosovës, i cili u shfaqë drejtpërdrejtë në televizionin publik, madje kryeministri Albin Kurti e shpërndau edhe në llogarinë e tij në Facebook, në rreshtin e parë, pjesa më e madhe e karrigeve janë të zbrazëta, duke lënë për të nënkuptuar se ftesa që u është bërë personave të ndryshëm për të marrë pjesë në këtë organizim është refuzuar.

Aty shihet ulur kryeministri Kurti, presidentja Vjosa Osmani – së bashku me burrin e saj Prindon Sadriu – Ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku dhe ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Jeff Hovenier.

Koncerti i Filarmonisë së Kosovës është një nga aktivitet e shumta që janë organizuar këtë të shtunë për nder të pavarësisë së Kosovës./albaniapost/

BONUS VIDEO| Qytetarët urojnë ditën e Pavarësisë së Kosovës, shpresojnë për ditë më të mira