Oqeani Atlantik ka pësuar ndryshime shumë të pazakonshme në mënyrën se si stuhitë ashpërsohen

Një hulumtim i publikuar nga ekspertët e stuhive natyrore, përfshirë studiuesit amerikanë të Administratës Kombëtare për Oqeane dhe Atmosferë, tregon se stuhitë në Oqeanin Atlantik janë duke u bërë gjithnjë më të furishme dhe ndryshimet klimatike janë njëra ndër arsyet për këtë ndryshim.

Studimi ka qenë i përqendruar në rritjen e shpejtë të stuhive, të cilat mund të kalojnë nga shkalla e parë e stuhisë tropikale në shkallën e katërt apo të pestë brenda një periudhe të shkurtër kohore. Hulumtuesit zbuluan se kjo dukuri është përsëritur vazhdimisht viteve të fundit. Për shembull, stuhia “Michael” kishte kaluar nga shkalla e parë në shkallën e katërt brenda 24 orëve.

Sipas këtij hulumtimi, Oqeani Atlantik ka pësuar ndryshime shumë të pazakonshme në mënyrën se si stuhitë ashpërsohen, kur ato krahasohen me parashikimet që bëhen për rrjedhën natyrore të tyre. Ky dallim ka bërë që shkencëtarët të vlerësojne se ndryshimet klimatike kanë një rol të madh në këtë zhvillim negativ në mjedisin ujor dhe ajror.

“Ndryshimet natyrore nuk mund ta justifikojnë dukurinë e rritjes së furisë”, thuhet në këtë studim. Sipas shkencëtarëve, këto stuhi paraqesin rrezik për njerëzit sepse ata nuk paralajmërohen me kohë për shkallën e saktë të stuhisë dhe nuk janë të përgatitur për t’u zhvendosur nga zonat e rrezikshme, shkruan “The Washington Post”, transmeton Ballkani.info