Opozita serbe bojkoton kuvendin dhe kërkon zgjedhje të parakohshme

Partitë opozitare të Serbisë kanë njoftuar se e kanë nisur bojkotimin e kuvendit kombëtar në shenjë solidarizimi me vargun e protestave kundër presidentit të vendit, Aleksandar Vuçiq.

Grupi i partive opozitare dhe disa organizatave, i njohur me emrin “Aleanca për Serbinë”, ka thënë se deputetët e tyre nuk do të marrin pjesë në seancat e kuvendit derisa të plotësohen kërkesat e protestuesve dhe derisa të krijohen kushtet për zgjedhje të lira dhe të drejta.

Ky vendim i opozitës serbe erdhi pas protestave të përjavshme të mijëra njerëzve, të cilat filluan në dhjetor të vitit të kaluar në Beograd dhe tashmë janë shpërndarë në disa qytete tjera.

Protestuesit po e kërkojnë dorëheqjen e Vuçiqit dhe mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme, duke e akuzuar presidentin për shkelje të lirive demokratike, shtypje të kundërshtarëve politikë dhe vënien e kontrollit në medie. Sidoqoftë, ai i ka mohuar këto akuza dhe ka refuzuar t’i plotësojë kërkesat e protestuesve.

“Ne nuk dëshirojmë të bëhemi pjesë e një fasade të demokracisë dhe t’i japim legjitimitet një regjimi totalitar, i cili e shtyp opozitën dhe që rivalët politikë i cilëson si armiq të shtetit”, thuhet në deklaratën e grupit të partive opozitare.

Kryetari i lëvizjes djathtiste “Dveri”, Bosko Obradoviq, ka thënë se deputetët e aleancës së tyre do t’i bojkotojnë seancat plenare, por do të qëndrojnë brenda ndërtesës së kuvendit për të mbajtur konferenca për shtyp dhe për të dhënë njoftime të ndryshme, shkruan “Free Europe”, transmeton Gazeta Express.