Opozita i reagon Aliut: Duhet të kesh një zor të madh mos me pas guximin të qëndrosh në seancë

Dy partitë opozitare, Partia Demokratike e Kosovës dhe Lidhja Demokratike e Kosovës kanë kritikuar ministrin e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu për mungesë guximi pas largimit të tij nga salla plenare, pas deklaratave të tij për keqqeverisje nga qeveritë e kaluara.

Shefi i Grupit parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri tha se ministri Aliu duhet me pas një zor të madh me fol dhe mos me qëndru në seancë.

“Njeri duhet me qenë në një zor të madh me fol dhe mos me pas guximin të qëndrosh në seancë. Me i bërë nja 28 kontrata njëburimore pa procedurë të prokurimit qysh i ka bërë Liburn Aliu, mos qofsha në lëkurë të tij. Pasi çdo ditë pret me të ardh Policia dhe Prokuroria te dera”, tha ai.

Siç njofton Kp, kritike u shfaq edhe deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami.

“Kjo nuk është morale dhe etike, nuk ka asnjë justifikim sepse tha po merrna pak me zjarrin. Ndërsa, dje të nderuar deputetë ai ishte jashtëzakonisht kundërthënës dhe konfuz. Për tenderin e tiketave ngjitëse arsyeja pse e kemi (pezulluar) tha se kemi pasur dy raporte të auditorit të brendshëm. Një ministër i cili e jep një tender të tillë korruptues që krejt Kosova pa i raporte te diti që është korruptues dhe ai e ka nënshkruar. Ai se dha asnjë përgjigje se pse tenderin e ka nënshkruar zëvendësi i tij në kohën kur ka qenë prezentë”, tha ajo.