Oksigjen i prodhuar jashtëligjshëm, deri te furnizimi në pompa benzini, pacientëve kosovar iu ofrua çdo lloj i O2

Pacientëve në spitalet e Kosovës fillimisht i kanë ofruar oksigjen të prodhuar jashtëligjshëm, e pastaj pacientët janë detyruar të drejtohen vetë për furnizim edhe në pompa të benzinit.

Problemet me mungesë të oksigjenit i kanë përcjell tashmë disa muaj institucionet publike shëndetësore në vend.

Kompania “Bubeari Komerc” kishte fituar një tender nga Spitali i Ferizajit për furnizim me boca të oksigjenit.

Ndërsa, nga kjo kompani ishte furnizuar edhe Qendra Klinike Universitare e Kosovës.

Kjo kompani dyshohej se kishte prodhuar jashtëligjshëm gaz mjekësorë, si pasojë e të cilit kishte dyshime se mund të kishin vdekur 4 pacientë në vitin 2017 në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.

Për shkak të dyshimeve në prodhimin e këtij oksigjeni, Spitali i Ferizajit e Qendra Klinike Universitare e Kosovës kishin vendosur ta shkëpusnin kontratën me këtë kompani.

Drejtori i Spitalit të Ferizajit ka thënë për Express se nuk kanë më kontratë të lidhur me këtë kompani, dhe se ata tashmë furnizohen nga kontratat që lidh Shërbimi Klinik Universitar i Kosovës.

Edhe pse kontratat u shkëputën, pacientët në rrethinën e Ferizajit dhe Kaçanikut kanë kërkuar furnizim nga kjo kompani, për shkak të furnizimit të pamjaftueshëm të institucioneve publike shëndetësore.

Derisa institucionet shëndetësore po ballafaqoheshin me mungesë të oksigjenit, qytetarët detyroheshin të furnizoheshin me oksigjen edhe në pompa të benzinit.

Edhe pse ky oksigjen nuk ishte as medicinal, qytetarët nuk kishin zgjidhje tjetër pos ta përdornin atë për trajtim mjekësorë.

Nënkryetari i Komunës së Gjilanit, Arbër Ismajli, ditë më parë e ka konfirmuar për Express se qytetarët po furnizohen me oksigjen nga një pompë e benzinit.

Ndërsa, edhe pronar të saj kishin bërë me dije se interesi i qytetarëve për të blerë oksigjen te ta ka qenë shumë i madh.

Derisa pacientët po përballeshin me mungesë të oksigjenit, nga zyra për informim në Ministrinë e Shëndetësisë kishin thënë se nuk është në kompetencë të tyre furnizimi. Ndërsa vet ministri Zemaj e kishte mohuar të ketë mungesë të oksigjenit.

Mirëpo, çështje e furnizimit është zgjidhur tek para 4 ditëve.

ShSKUK-ja më 9 dhjetor ka nënshkruajtur kontratat e reja për furnizim me oksigjen.

Kontrata për oksigjen të lëngët është nënshkruar me operatorin Ekonomik “Medical Group”

Kontrata për oksigjen të gaztë (me bombola) është nënshkruar me operatorin Ekonomik “Medica”.

Zyra për informim në SHSKUK ka thënë sot për Express se tashmë institucionet publike shëndetësore janë furnizuar me oksigjen.

Sipas tyre, furnizimi tani është i qëndrueshëm.

“QKUK, por dhe Spitalet e Përgjithshme janë furnizuar me oksigjen, sipas kontratave. Furnizimi është i qëndrueshëm në të gjitha njësitë”, kanë bërë të ditur.

Ndërsa, edhe drejtorë të spitaleve rajonale e kanë konfirmuar se gjatë këtyre ditëve kanë marrë furnizim me oksigjen.

Drejtori i Spitalit të Gjakovës, Hilmi Shala, ka thënë se rezervat me oksigjen janë 12 orëshe. Sipas tij, pas 12 orëve do t’u vije prapë furnizimi.

Ne kemi marrë furnizim me oksigjen. Rezervat janë12 orëshe, pra çdo 12 orë do të behet furnizimi nga furnizuesi i ri”, ka thënë ai.

Ndërsa, edhe drejtori i Spitalit të Ferizajit, Jeton Zeqiri e ka pohuar për gazetën se janë furnizuar me oksigjen.

Ai ka thënë se tashmë kanë arritur të bëjnë edhe pak rezerva.

Për shkak të mungesës së oksigjenit, dy pacientë nga Spitali i Gjilanit ishin detyruar të transferohen në QKUK për trajtim të mëtutjeshëm. Ndërsa, ka pasur edhe pacientë të tjerë të cilët kanë dashur të largohen nga spitali për shkak të mungesës së oksigjenit.