Gjenerali i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Lahi Brahimaj, ka reaguar ndaj një deklarate të kreut të VV-së, Albin Kurti lidhur i cili tha se më shumti kishte armë në oda se te ushtria, duke rikujtuar se fillesat e luftës çlirimtare kanë qenë pikërisht në odat e familjeve shqiptare, përfshirë edhe atë të familjes Jashari.
Përmes një reagimi, Brahimaj thekson se historia e UÇK-së nuk mund të deformohet dhe as të relativizohet, pasi sipas tij, armatimi dhe organizimi për rezistencë kanë nisur në kushte jashtëzakonisht të vështira, në oda familjare dhe nën rrezik të përhershëm, shkruan Ballkani.info.
“Ia kujtoj Kurtit që luftës ia kemi nisë me armatim në odën e familjes Jashari,” ka deklaruar Brahimaj, duke e cilësuar këtë si fakt historik të pamohueshëm.
Ai nënvizon se odat shqiptare kanë qenë gjithmonë vende të mikpritjes, vendimmarrjes dhe rezistencës, e jo simbol i kriminalizimit apo përbuzjes, siç sipas tij po tentohet të paraqiten përmes deklaratave politike.
Reagimi i Brahimajt vjen në një kohë kur diskursi publik për luftën e UÇK-së dhe trashëgiminë e saj vazhdon të jetë temë debati, veçanërisht në raport me deklaratat e zyrtarëve të lartë shtetërorë.
Brahimaj është kandidat për deputet në listën e AAK-së me numër 90. /Ballkani.info/







