Kryetari i Odës Ekonomike të Serbisë, Marko Çadezh ka deklaruar sot se humbësit më të mëdhenj për shkak të taksës së vënë nga Kosova janë kompanitë.
Sipas tij, taksa e Kosovës e vënë për mallrat nga Serbia dhe Bosnja dhe Hercegovina, do t’ju shkaktojë humbje të mëdha kompanive prodhuese.
Çadezh ka thënë se vetëm kompanitë me kapital nga Bashkimi Evropian në nivel vjetor do të humbin rreth 200 milionë euro, transmeton Ballkani.info.
“Ajo që është e re ka të bëjë me faktin se të hënën do t’i dërgojmë letër edhe institucioneve evropiane. Do t’ju tregojmë se vetëm kompanitë nga Serbia me kapital nga vendet anëtare të BE-së, nëse ky vendim vazhdon të mbetet në fuqi, do të humbasin në nivel vjetor 200 milionë euro”, ka thënë Çadezh.
Taksa që është vënë nga Qeveria e Kosovës për mallrat serbe dhe boshnjake e ka vënë në siklet Serbinë si importuesja më e madhe në Kosovë. Ky shtet në nivel vjetor ka shitur në Kosovë mallra në vlerë 450 milionë euro. /Ballkani.info/







