Organizata Botërore e Shëndetit tha se komentet e Sekretarit të Shtetit të SHBA Mike Pompeo që tregonin për ‘’prova të mundshme’’  se koronavirusi kishte dalë nga një laborator kinez ishin “spekulative”, dhe kërkuan një hetim të bazuar në shkencë.

Pompeo tha se kishte “një sasi të konsiderueshme të provave” që virusi doli nga një laborator në qytetin kinez Ëuhan, por nuk e kundërshtoi përfundimin e agjencive të inteligjencës amerikane se nuk ishte bërë nga njeriu.

Këto komente kanë nxitur transmetuesin shtetëror të Kinës CCTV të hënën të sulmojë “vërejtjet e çmendura’’ mbi origjinën e pandemisë koronavirus, duke nxitur më tej tensionet mes dy shteteve.

Dr Mike Ryan, eksperti i lartë i urgjencave të OBSH-së, tha në një konferencë për shtyp në internet nga Gjeneva: “Ne nuk kemi marrë ndonjë regjistrim specifik të të dhënave nga qeveria amerikane në lidhje me origjinën e supozuar të virusit. Pra, nga këndvështrimi ynë, kjo mbetet spekulative.”

Si një “organizatë e bazuar në prova”, Ryan tha, OBSH ishte e prirur të merrte çdo informacion mbi origjinën e virusit, dhe kjo ishte “jashtëzakonisht e rëndësishme” për kontrollin e saj në të ardhmen.

“Nëse të dhënat dhe regjistrimet janë të disponueshme, atëherë do t’i takojë qeverisë së Shteteve të Bashkuara të vendosë nëse dhe kur ato mund të ndahen,” tha ai.

Ryan tha se shkenca, jo politika, duhet të jetë në zemër të shkëmbimeve me shkencëtarët kinezë për këtë çështje, duke paralajmëruar kundër projektimit të një “hetimi për keqbërje agresive”.