Portieri slloven, Jan Oblak ka treguar se i pëlqen ideja e të luajturit në Premier League në të ardhmen.
Oblak u transferua te Atletico Madridi në vitin 2014 nga Benfica, dhe që nga ajo kohë ka zgjuar interesimin e shumë skuadrave. Në anën tjetër slloveni me “Los Colchoneros” e ka fituar një Europa League ndërsa e ka përjetuar edhe një herë zhgënjimin e humbjes në finale kundër Real Madridit.
26 vjeçari e ka mbajtur portën e pa prekuar në 73 raste nga 125 ndeshje në La Liga me Atleticon, gjersa e ka fituar edhe tre herë çmimin “Ricardo Zamorra” që ndahet për portierin me më së paku gola të pësuar në krahasim me ndeshjet e zhvilluara.
Verën e kaluar për shërbimet e Oblak, nga Premier League ishin interesuar Arsenali, Chelsea dhe Liverpooli me dy klubet e fundit që më pas transferuan Kepan respektivisht Alissonin.
Oblak insiston se është i lumtur në Spanjë, pavarësisht se e pranon që kalimi në Angli e intrigon.
“Nuk mund të flas shumë lidhur me dështimin e kalimit te Chelsea, por pata deklaruar gjatë verës se dëshira ime ishte të qëndroja. Nuk kam folur me asnjë klub, agjenti dhe Atletico Madridi merren me këto gjëra. Qëndrova për shkak se këtu ka një projekt të mirë dhe besoj se mënyra më e mirë për të fituar tituj është të qëndroj te Atletico. Por në të ardhmen gjithçka është e mundur, gjërat ndryshojnë shpejt. Kështu që nuk mund të themi se mund të qëndrojmë për një kohë të gjatë te një klub për arsye se nuk i dihet kurrë. Premier League është interesante dhe në një pikë të caktuar mund të jem pjesë e saj, ndoshta vitin e ardhshëm, ndoshta 2 vite apo 10 vite më vonë”, përfundoi Oblak.







