OAK shpalos para kryeministrit Haradinaj, problemet me të cilat po përballen bizneset

Përfaqësuesit e Odës së Afarizmit të Kosovës janë pritur në takim nga kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ku kanë diskutuar rreth problemeve me të cilat përballen bizneset në Kosovë.

Me këtë rast i pari i ekzekutivit, falënderoi delegacionin e OAK-së për takimin dhe theksoi se do t’i trajtojë temat e propozuara nga Oda, duke u shprehur i hapur për bashkëpunim të vazhdueshëm, dhe bëri thirrje që OAK të vazhdoj komunikimet  me nivelin qendror me qëllim të tejkalimit të sfidave me të cilat përballen bizneset.

Kryetari i OAK, Skënder Krasniqi, prezantoi shërbimet dhe aktivitet e odës që punon pa reshtur për përmirësimin e klimës së të bërit biznes e cila po vazhdon të jetë e rëndë.

Krasniqi potencoi se aktualisht OAK, është duke u marrë me probleme të cilat po pengojnë zhvillimin e vendit por bashkërisht me Qeverinë e Kosovës mund të arrijnë zgjidhen.

Kryetari i OAK më tej shtoi se Oda e Afarizmit të Kosovës në kontinuitet po vazhdon takimet me ministrat përkatës dhe institucionet e tjera, për problemet që bizneset i adresojnë në OAK, ku një nga problemet kryesore që po shkakton humbje të mëdha prodhuesve vendor e sidomos për lëndën e parë është energjia elektrike, siç janë bukëpjekësit dhe të cilët kanë kërkuar që të lirohet energjia elektrike për 50%.

Haradinaj, u njoftua për peticionin e dorëzuar të premten nga OAK të nënshkruar nga dhjetëra biznese për heqjen e udhëzimeve administrative nga Ministria e Bujqësisë dhe Pylltarisë që kufizojnë në 5 hektarë sipërfaqe, 5 vjet dhe 2000 € qira vjetore për hektarë si dhe heqjen e kufizimit për ndërrimin e pronës, njofton Oda e Afarizmit të Kosovës.

Gjithashtu, OAK ka kërkuar që Kosova të krijoj produktet strategjike sikurse i kanë vendet e rajonit.

Peticioni për heqjen e udhëzimeve administrative të nënshkruar nga dhjetëra biznese, problemi i energjisë elektrike, përkrahje për taksën 100%, infrastruktura ligjore, mungesa e energjisë elektrike, ligjeve në përputhje me tregun, ligji i punës dhe lehonisë dhe çështje tjera të ngjashme të cilat preokupojnë biznese, ishin qëllimi i takimit të delegacionit të Odës së Afarizmit të Kosovës me Kryeministrin e Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj.