Irani ka koordinuar sulmin e tij në bazën ushtarake amerikane Al-Udeid në Katar me zyrtarë të Katarit, ka mësuar New York Times.

Teherani “paralajmëroi paraprakisht se do të kishte një sulm për të minimizuar viktimat”, raportoi media amerikane, duke cituar tre zyrtarë iranianë të njohur me planet, transmeton Ballkani.info.

Sipas New York Times, Irani donte të hakmerrej në mënyrë simbolike kundër sulmeve të djeshme të SHBA-së ndaj objekteve të tij bërthamore, por gjithashtu u përpoq të siguronte që të dyja palët të mund të de-përshkallëzojnë lehtësisht situatën, ngjashëm me vitin 2020 kur Irani njoftoi paraprakisht Irakun përpara se të gjuante raketa në një bazë amerikane në Irak, në përgjigje të vrasjes së gjeneralit iranian Qassem Soleimani.

Irani kishte njoftuar paraprakisht Shtetet e Bashkuara përmes dy kanaleve diplomatike orë përpara sulmit në Katar, tha një burim i lartë rajonal për Reuters.

Teherani kishte informuar gjithashtu Dohën, tha burimi. /Ballkani.info/