Ish shefi i Shtabit

Nuredin Ibishi: Nëse më fton Specialja do t’i përgjigjem drejtësisë në çdo moment

Ish-shefi i shtabit të Zonës Operative të Llapit, Nuredin Ibishi, ka folur për faktin se tashmë po përflitet se janë rreth 80 dëshmitarë që do të intervistohen nga Gjykata Speciale.

Ai ka thënë në Info Magazine të Klan Kosovës se nëse ka dëshmitarë shqiptarë për krime lufte – ata duhet të dëshmojnë.

“Nuk duhet të përçohet një mesazh i anatemimit. Nëse ka dëshmi – duhet të dëshmojnë se është me rëndësi”.

“Po ndërlidhem me deklaratën e Rrustem Mustafës dhe të tjerëve që janë ftuar nga Gjykata Speciale, të cilët po përçojnë mesazhe të mira që do t’i përgjigjen çdo herë, në kuptim të asaj që jemi për drejtësi – pavarësisht çfarë drejtësie është në pyetje”.

“Kur bëjmë krahasime me dëshmitarë, Serbia ka nisur t’i shpalosë dëshmitarët e saj edhe për rastet që tashmë janë gjykuar”.

“Nuk duhet të dërgojmë mesazhe të këqija kundër dëshmitarëve – ata do të jenë aty, mirëpo duhet të kenë prova dhe jo të dalin vetëm me shtytje, joshje dhe fabrikime”.

“Serbia disa prej dëshmitarëve u ka dhënë edhe shuma të parave. Këtë duhet ta kenë parasysh edhe Prokuroria edhe Gjykata, në trajtimin e këtyre dëshmitarëve”.

Nuredin Ibishi ka thënë se ai nuk është ftuar të intervistohet nga Gjykata Speciale, por në rast se merr një ftesë të tillë do të përgjigjet.

“Jo – nuk më kanë ftuar dhe as nuk më kanë kontaktuar ndonjëherë. Nëse ftohem, do të sillem njëjtë si bashkëluftëtarët e mi – do t’i përgjigjem drejtësisë çdo moment”.