Në emisionin e sotëm ‘Një Ditë Ndryshe’ me Linda Gjakovën tek ‘RADIO 1’, Drejtoresha e Institutit Rajonal të Shëndetit Publik në Pejë Dr. Adnora Nurboja ka deklaruar për herë të parë një rënie intensiteti të rasteve të referuara për testim me ‘Covid 19’.
Referuar në shifra zyrtare, Nurboja e IRSHP-së ka thënë se numri i të shëruarve si në komunën e Pejës ashtu edhe në rrafshin e dukagjinit, e tejkalon dyfish numrin e rasteve aktive.
Ajo me këtë rast i është përgjigjur akuzave dhe kritikave të institucioneve komunale të Pejës në raport me deklarimet e këtyre të fundit se situata me Covid 19 në Pejë nuk është sikur po paraqitet nga IRSHP-ja.
“Situata është ajo që është. Vetëm në komunën e Pejës i kemi që nga rasti i parë kur është paraqitur e deri më sot 558 raste të konfirmuara Pozitiv. Për momentin kemi nga to 170 raste aktive të konfirmuara dhe 359 persona janë të shëruar. Fatkeqësisht 29 persona i kemi të vdekur nga komuna jonë, qoftë nga Covid 19 apo që kanë qenë Covid 19 pozitiv me sëmundje shoqëruese. Ndërsa në tërë rajonit me këto të Pejës tonë i kemi 838 raste Pozitive, 42 të vdekur, 527 të shëruar dhe 269 raste aktive. Në ditët e fundit po vërehet një rënie e intensitetit të rasteve të referuara për testim në krahasim me dy javët paraprake, (para kësaj jave), kur kemi pasur një vërshim me një numër të madh testesh gjithëmonë të referuara sipas rekomandimeve nga Spitali i Përgjithshëm Rajonal i Pejës, reparti infektiv, pulmologjik dhe disa repaete tjera të cilat janë adaptuar për trajtim pacientësh me Covid 19 Pozitiv.”-tha Nurboja për “RADIO 1′
Nurboja e IRSHP-së, ka thënë se qëndrime të tilla të komunarëve se situata nuk është sikur po paraqitet nga ta, vijnë nga mosdija e tyre.
“Nuk e di çka kanë menduar në atë se nuk është duke u paraqitur gjendja reale me ate çfarë e themi ne. Ne flasim me shifra të testimeve dhe të rezultateve të testimeve. Drejtori i Drejtoratit të Shëndetësisë është i autorizuar nga kryetari të udhëheqë Shtabin Komunal të Komunës, pra, e unë mund të ju them me shumë përgjegjësi se asnjë nga Instituti nuk është pjesë e as anëtare e atijë Shtabi e as nga Spitali i Pejës dhe kjo bënë dallim nga të gjitha komunat tjera. Pra nëse në komunat tjera të mëdha pra, të rajoneve të Kosovës ekziston dikush nga Instituti si pjesë a Shtabit, atëherë mendoj se kishte qenë e udhës për hir të gjërave të vërteta dhe që të mos ketë përplasje, duhej të ishte i kyçur dikush nga Instituti i Shëndetit Publik në Shtabin Komunal, mirëpo si po duket nuk e kanë parë të aryeshme të kyçet dikush nga Instituti e as nga Spitali dhe për këtë edhe mund të ketë përplasje, sepse Drejtori i Drejtoratit të Shëndetësisë nuk i ka informatat nga dora e parë. Informatat ndoshta i merr edhe nga portalet ose prej njerëzve jo kompetent.”-deklaroi për ‘RADIO 1′, Drejtoresha e IRSHP-së Nurboja.
Nurboja më tej ka shtuar se ata punojnë në bazë të udhërrëfyesit klinik.
“Sa e di unë e e din edhe drejtori, ekziston një udhërrëfyes klinik për menaxhim dhe trajtim të rasteve të dyshuara apo edhe atyre të konfirmuara e me të cilin po punojnë shkëlqyeshëm edhe mjekët familjarë.”-shtoi Nurboja.
Nurboja ka drejtuar edhe akuza tjera në drejtim të Shtabit Komunal Emergjent duke përmendur edhe moslarjen e rrugëve të qytetit gjatë pandemisë.







