Numër i vogël i kryetarëve te Kurti, Bulliqi: S’ka vend për politikë, jeta e qytetarëve më e rëndësishme

Takimi i kryeministrit Albin Kurti me një numër të vogël të kryetarëve të komunave ka përfunduar pas gati 2 orësh.

Kryetari i Komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi ka njoftuar para medieve se takimi ishte i thirrur ekskluzivisht për të folur për gjendjen me pandeminë.

Për mosprezencën e shumicës së kryetarëve të komunave në takim, siç shkruan EO, ai tha se nuk është koha të bëhet politikë, por më e rëndësishme është jeta e qytetarëve.

“U diskutuan edhe masat anti-Covid që janë ndërmarr. Poashtu u diskutua për stafin shtesë. Morëm përgjigje nga kryeministri dhe ministri i Shëndetësisë Vitia lidhur me masat që janë ndërmarr dhe shpresojmë që do ta bëjmë më të mirën për me i mbrojte qytetarët tanë”.

“Nuk e di sa persona kemi qenë më takim, por kjo situatë që jemi nuk ka vend për politikë është momenti që të gjithë t’i kryejmë obligimet tona”.

“Në takim ishte edhe nënkryetari i Ferizajt dhe zotëri Gjini ishte online në takim”.

Ai tha se situata nuk është e mirë pasi që po infektohet edhe personeli shëndetësor, raporton EO.

“Ne si komuna do ta bëjmë punën tonë dhe do të respektojmë masat e Qeverisë”, tha ai.

Asociacioni i Komunave të Kosovës u ka bërë thirrje kryetarëve që të mos marrin pjesë në takim me arsyetimin se nuk janë ftuar që të jenë pjesë e Komitetit për koordinimin dhe vlerësimin e situatës me pandeminë.