Nuk ua lënë shejë kritikat, Ministria i quan profesionistë anëtarët e VV’së që u emëruan në borde

Kritikat për emërimet politike të bëra në bordet e tri ndërmarrjeve publike, nuk po ju bëjnë përshtypje anëtarëve të Lëvizjes Vetëvendosje në qeverinë në detyrë.

Pavarësisht kritikave që kanë marrë nga shoqëria civile dhe partitë tjera politike në vend, sot gjatë ditës përvec kryeministrit në detyrë, Albin Kurtit që e arsyetoi vendimin e marrë mbrëmë, ka reaguar edhe Ministrja në detyrë e Ekonomisë, Rozeta Hajdari.

Hajdari në reagimin e parë tha se këta persona të emëruar nuk do t’i zë vjeshta në këto pozita, derisa, siguroi se nuk e vjedhin paranë publike.

Me të njejtën frymë për këtë temë kanë reaguar edhe një herë nga Ministrja në detyrë e Ekonomisë, Punësimit, Tregtisë, Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Investimeve Strategjike.

Nga MEPTINIS kanë shkruar se Qeveria e Republikës së Kosovës ka shkarkuar bordet e drejtorëve dhe ka emëruar borde të përkohshme në tri ndërmarrje publike qendrore: Posta e Kosovës, Hekurudhat e Kosovës “Infrakos” dhe Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Prishtina”.

Më parë janë shkarkuar bordet dhe emëruar bordet e përkohshme edhe në ndërmarrjet Telekomi i Kosovës dhe Trepça ShA.

“Ministria ka propozuar dhe Qeveria ka miratuar emërimin si drejtorë të përkohshëm të ekspertëve të dëshmuar, me përvojë vendore e ndërkombëtare, të cilët do të punojnë me pavarësi dhe integritet për të shpëtuar ndërmarrjet tona”, thuhet në komunikatë.