“Nuk u bë deti kos!” Rama refuzon propozimin për t’i hequr një taksë shqiptarëve
Kuvendi i drejtuar nga socialistët në pushtet ka rrëzuar një ndër porpozimet që i takojnë politikës së majtë, asaj të mbrojtjes së shtresave më vulnerable të Shqipërisë.
Këtë të hënë kryetari i komisionit parlamentar të Ekonomisë kërkoi heqjen e tatimit të të ardhurave personale të atyre shqiptarëve që marrin një rrogë prej 40 mijë lekësh të reja (400 mijë lekë të vjetra), duke rritur kësisoj pragun i cili aktualisht funksionon për pagat deri në 30 mijë lekë të reja.
Por propozimi i Erjon Braçes duket se nuk është mirëpritur nga kryeministri Rama, i cili madje e ka ironizuar idenë e deputetit të tij duke thënë se nuk është bërë deti kos.
Braçe: Ka ardhur momenti që ligji të rishikohet dhe në këtë kontekst, ky vend ka nevojë të mbrojë një fashë të ardhurat të domosdoshme për cdo familje. Ndodh që të ardhurat të jenë nga një rrogë, apo të tjera nga qira dhënia apo aksionet. Ne duhet të bëjmë një debat për të integruar të gjitha të ardhurat për ti deklaruar dhe për t’ia nënshtruar një takimi progresiv. Duhet të mbrojmë të ardhurat e ulëta, minimale. Duhet ta bëjmë edhe ne, pasi ndodh në cdo vend të Europës. Nga shuma e pagave gjatë 2017, prej 20 mld lekësh, paga deri 40 mijë lekë zënë vetëm 2.5% të totalit. Jemi në hapat e para të këtij fenomeni. Jemi në momentin e duhur për t’u përballur me një problem madhor që ka të bëjë me pabarazinë. Nëse sot buxheti nuk ka mundësi pasi fatura shkoka 4.6 mld lekë ta bëjmë diskutim në vijim që të kemi një ligj.
Ministri i Ekonomisë Ahmetaj: Taksa e sheshtë u merrte shqiptarëve 10% nga paga. 97% e të punësuarve kanë ulje takash. Ata nga 1-30 mijë lekë pagën e kanë të përjashtuar nga tatimi. Taksimi nga 30-40 mijë lekë është simbolik. Përsa u përket të ardhurave nga kapitali nga 0-5 mln e kemi zero, dhe nga 5-14 mln lekë e kemi 5%. Kemi një pasqyrë të konsoliduar që e ndihmon punësimin dhe ruan një balancë të drejtë. Do të sugjeroja ta rrëzonim amendamentin.
Rama: Tani duke qenë se është bërë për një periudhë jo të vogël ky debat. Mos harrojmë që FMN kërkoi në 2013 për të filluar taksimin nga 15 mln lekë e kemi refuzuar. Është mirë që të mos dalim nga konteksti, kemi pasur një periudhë të vështirë për vendosjen e rregullit. Ekonomistët i vlerësojnë shumicat edhe për atë që nuk ndodh. Kjo parti ka meritën që ka penguar që të ndodhë një katastrofë e dytë përveç asaj të 1997, ishim në prag falimentimi më pas filluam reformat. Paga 30-40 mijë lekë është mirë ta kujtojmë që taksoheshin 10%, tani 1.89%. Ata që janë 30 e poshtë nuk paguajnë asgjë. As të zbresim te 15 mijë lekë tatim as të zërojmë mbi 30 mijë lekë. Deti nuk u bë kos, këtu jemi më pas do të bëjmë më shumë duke krijuar më shumë mundësi.