Nuk ka dhuruar fitues derbi i Londrës Veriore mes Tottenhamit dhe Arsenalit teksa 90 minutat përfunduan në barazim 1-1.

Arsenali e filloi më mirë ndeshjen me Lacazete që iu afruar golit, ndërsa një kundërsulm i shpejtë në minutën e 16-të solli edhe golin e parë me Aaron Ramsey që udhëhoqi topin për 40 metra duke kaluar në fund edhe portierin e Tottenhamit, Hugo Lloris.


Në vazhdim vendasit morën kontrollin e lojës me Bernd Lenon që ishte heroi i “The Gunners” në dy raste teksa fillimisht ndali Eriksenin dhe pastaj Sissokon.

Deri në fundin e pjesës së parë nuk pati më gola, gjersa Lacazette në fillim të 45 minutave të dytë nuk arriti të shfrytëzojë një mundësi të artë ashtu si në fillimin e takimit.

20 minuta para fundit të ndeshjes pati momente kontraverse, fillimisht Rose nuk u ndëshkua me karton të kuq pas ndëryrjes me taka ndaj Lenos ndërsa 4 minuta më vonë Tottenhami fitoi penallti pasi që Shkodran Mustafi rrëzoi në zonë Kanen, por sulmuesi anglez në fillim të aksionit ishte në pozitë jashtë loje.

Sidoqoftë, Kane u tregua i saktë nga 11 metra për të nivelizuar sfidën.


Arsenali shfaqi shenja jetë derisa në minutën e 89-të fitoi penallti me Aubameyang i cili u pengua nga Davinson Sanchez. Gabonezi u ndal nga Lloris me portierin francez që e shmangu humbjen e “Gjelave”.

Deri në fund të ndeshjes te Arsenali me karton të kuq u ndëshkua Lucas Torreira pas një ndërhyrje të ashpër.

Me këtë barazim Tottenhami mbetet në vendin e 3-të me 61 pikë, ndërsa Arsenali grumbullun 57 një pozitë më poshtë, por vendi i katërt i kërcënohet nga Manchester Unitedi që sot takohet me Southamptonin në “Old Trafford”.