“Nuk ka dyshime, Messi është më i miri në histori të futbollit”

Presidenti i Barcelonës, Josep Maria Bartomeu, nuk ka dyshime se Lionel Messi është lojtari më i mirë në histori të futbollit.

Messi 32 vjeçar, po synon të vë një rekord të ri në futboll, duke kërkuar trofeun e gjashtë të Topit të Artë, që dhurohet ditën e hënë.

Sulmuesi argjentinas ka ndihmuar Barcelonën të fitojë edhe një titull tjetër të La Ligas, ndërsa ka gëzuar një formë të lartë, me shumë gola të shënuara.

Ai po sfidohet edhe këtë vit nga Critiano Ronaldo, ndërsa në garë është edhe mbrojtësi i Liverpoolit, Virgil van Dijk.

“Pa asnjë dyshim Leo Messi është lojtari më i mirë në histori. Ai ka lënë gjurmë të mëdha në botën e futbollit”, ka deklaruar Bartomeu në faqen zyrtare të klubit.

“Nuk ka pasur asnjë klub në botë që ka pasur suksesin e Barcës, me një lojtar që ka fituar gjashtë herë Këpucën e Artë ose pesë herë Topin e Artë”.

“Ai është një lojtar i ndryshëm, që ndryshon dinamikën e ndeshjes dhe krijon momente të paharruara”.