Boksieri

“Nuk justifikohem, dua fitoren mbrapsht”, paralajmërimi i Florian Markut ndaj boksierit britanik që i shkaktoi humbjen e parë

Boksieri shqiptar Florian Marku ka reaguar sërish pas humbjes së parë në karrierën e tij përballë boksierit Chris Kongo.

Nëpërmjet një videoje të publikuar në rrjetet sociale, Florian Marku teksa shprehet se kundërshtari i tij ishte i papërshtatshëm tha se nuk do të përpiqet të justifikohet dhe se po punon për t’u rikthyer.

Marku bëri me dije gjithashtu se do të ketë sërish ndeshje me të njëjtin kundërshtar për t’u përpjekur që ta mposhtë këtë herë në Londër.

“Përshëndetje të gjithëve, kanë kaluar disa ditë nga ndeshja dhe ja ku jemi. Ndeshja nuk vajti siç doja, por stërvitja vazhdon dhe qëllimi është i njëjti, me kokën poshtë dhe shumë stërvitje unë kam për t’ia arritur qëllimit tim, sido që të shkojë puna, me ndihmën e Zotit. Kundërshtari ishte i papërshtatshëm, përqafonte shumë dhe më prishi komplet lojën. Por në atë ndeshje nuk kam unë siç duhej të isha atë natë. Kanë ndodhur shumë gjëra, por nuk më pëlqejnë justifikimet. Kështu që më mirë justifikimet ti mbaj për veten deri në momentin që unë do të ndeshem përsëri me të njëjtin kundërshtar dhe të marr fitoren mbrapsht. Jemi duke punuar për ndeshjen e kthimit në Londër me të njëjtin kundërshtar”,– tha Florian Marku.

Ndër të tjera, boksieri falenderoi edhe tifozët për mbështetjen ndërsa mesazheve negative iu përgjigj duke thënë se e bëjnë akoma më të vendosur dhe të fortë që të tregojë vlerat e tij.

“Dua t’iu falenderoj të gjithëve për të gjitha mesazhet pozitive që më keni dërguar mbas ndeshjes, pasi kanë shumë vlerë. Gjithashtu edhe për mesazhet negative, nuk ka problem, pasi mua mesazhet negative më bëjnë mirë, sepse më mbajnë akoma më të vendosur dhe akoma më të fortë, që tu tregoj të gjithë atyre që më kanë inat dhe nuk duan të më shohin mirë, sesa vlej dhe që nuk me venë poshtë kurrë. Por nuk ka problem, pasi do të vazhdoj me kokën poshtë dhe me shumë punë deri ditën që do të kem ndeshjen e radhës. Ju përshëndes të gjithëve dhe ju falenderoj nga zemra për të gjitha mesazhet e bukura”-u shpreh në fund të video-mesazhit të tij, Florian Marku.