“Nuk e flisja hapur…” Elhaida Dani rrëfen për fëmijërinë e saj dhe momentet e para kur nisi të merrej me muzikë!

Elhaida Dani mbetet një nga artistet më të talentuara dhe të dashura për publikun shqiptar dhe jo vetëm, që dita-ditës na bën edhe më shumë krenarë me arritjet e saj. Sukseset e saj tashmë janë kthyer në ndërkombëtare dhe Elhaida po vazhdon të ngjitet me hapa galopantë në karrierën e saj. Puna e saj flet vetë për të, duke hasur në suksesshme të njëpasnjëshme edhe në skenat e huaja.

Teksa, intervistat e saj janë shumë të rralla, përpos sukseseve të saj që të gjithë tanimë i dimë, ndjekësit nuk e njohin artisten pak më shumë. Kur ishte momenti që e kuptoi se do të bëhet këngëtare? Si ka qenë fëmijëria e saj, po marrëdhënia me familjarët?

“Është e çuditshme sepse unë nuk e flisja hapur që doja të isha këngëtare. Nuk ia flisja as vetes time me zë të lartë. Brenda vetes e imagjinoja veten si një vajzë që udhëton, që është e lirë dhe që pasionin e saj e ka bërë punën e saj. Nuk kam pasur asnjëherë dyshim që kjo do ishte jeta ime. Të them të drejtën, deri sot jam munduar t’i mbush mendjen vetes që fëmijëria ime ka qenë mëse normale, por nuk ka qenë e tillë sepse jam rritur në një familje ndryshe për shkak të punës së babit që na duhej të lëviznim shumë. Kemi ndërruar nuk e di sa shtëpi në fëmijërinë time, sa qytete, Tiranë, Shkodër. Kjo gjë më ka ndihmuar pastaj në jetën time, sepse më ka bërë të përshtatem me ndryshimin shumë shpejt. Puna e babit ishte shumë e rëndësishme, kështu që ne i dedikonim gjithë energjitë tona. Ishte një familje patriarkale, jam rritur me dy vëllezër më të mëdhenj”.

“Akoma sot e kam pak të vështirë të përshtatem, bota emancipohet por e kam të vështirë ta shikoj. Mami im kur ka qenë në moshë të re këndonte, poe babi nuk e lejoi dhe i ka ngelur peng saqë me dy djemtë tentoi të gjente ndonjë copëz talenti dhe nuk e gjeti dhe në momentin e parë që pa që unë kisha veshin e muzikës, i tha babit ‘dëgjo Elhaidën e kemi këngëtare do ta ndihmojmë’. Insistoi të nisja pianon. Dy vitet e para të shkollës së muzikës i bëra në Tiranë, pastaj në Shkodër ku vazhdova mësimet për muzikë. Kam qenë fëmijë shumë introvert, nëse e vuaja në fëmijëri, më vinte inat që nuk isha vajza që çdo njeri donte të luante me të. Sot e shoh si një pikë të fortë, nëse je introvert nuk është diçka e keqe, do të thotë që po bluan brenda vetes diçka të madhe dhe nëse ke një talent e shoh të jesh introvert si një diçka pozitive.”