Nora Gjakova shkëlqen në finale, fiton të artën në Tbilisi

Nora Gjakova ka treguar formë të lartë në prag të garave më të mëdha të vitit. Xhudistja pejane të premten fitoi medaljen e artë në Grand Slamin në Tbilisi të Gjeorgjisë. Nora garoi në kategorinë deri 57 kilogramë dhe në finale e mposhti xhudisten gjeorgjiane, Eteri Liparteliani. Ndaj saj fitoi me Waza-Ari.

Nora ishte bartësja e dytë, por ishte e pakonkurrencë gjatë tërë ditës. Deri në finale arriti katër fitore, të gjitha me Ippon.

Për Norën është medalja e dytë këtë vit në garat e nivelit më të lartë. Në Mastersin në Doha ishte e treta, më 11 janar. Ndërkohë të artë nuk kishte fituar që nga 23 marsi i vitit 2019. Kishte dalë e para në Grand Prix të Tbilisit. Tani gara në Tbilisi është avancuar në Grand Slam.

Forma e Norës është sinjal i mirë para Evropianit, Botërorit dhe Lojërave Olimpike. Ajo është prej adutëve të Kosovës për medalje në këto ngjarje superiore.

Në dy ditët e ardhshme për Kosovën në Tbilisi do të garojnë edhe Akil Gjakova, Laura Fazliu e Loriana Kuka. Medalje të tjera priten.