Kryeshefi i KRU “Gjakova”, Hasan Krasniqi, dyshohet se është arrestuar në Bullgari, në bazë të një urdhërarersti të lëshuar nga autoritetet italiane. Krasniqi dyshohet se ka rënë në prangat e Policisë në Bullgari para disa ditësh teksa kishte marrë rrugën për pushime bashkë me familjen e tij. Deri më tash asnjë institucion s’ka kthyer përgjigje, ndërsa familja e ka mohuar arrestimin e tij.
Sinjali ka kontaktuar vëllezërit e tij, të cilët kanë dhënë deklarata kontradiktore për vendndodhjen e tij, që nuk dihen nëse nuk ia kanë haberin, apo tentuan ta fshehin.
Fillimisht njëri prej tyre, pasi u kontaktua nga Sinjali tha se “ka punë” dhe është në Bullgari, duke e konfirmuar se nuk ndodhet në Gjakovë, teksa s’ka dhënë detaje të tjera.
“Jo, nuk është në Gjakovë. Jashtë vendit është, kështu është me punë të veta, pushim është për momentin. Javën tjetër kthehet besoj. Në Bullgari është…” – u shpreh ai.
Ndërkaq vëllai tjetër i tij në një përgjigje për Sinjalin e mohoi se Krasniqi është arrestuar dhe insistoi që ndodhet në Kroaci për pushime.
“Është në pushim deri kah e premtja, sot një javë. Jo, nuk është e vërtetë që është arrestu, është në pushim. Dmth prej javës tjetër kthehet. S’ka të bëjë asgjë, jo jo jo. Unë në pika të shkurta po të tregoj. Ai për momentin gjindet në Kroaci, është në pushim”, deklaroi ai.
Ndërsa pasi u pyet për konfirmim nëse ndodhet në Bullgari siç tha vëllai i tij, i njëjti u përgjigj “Në Kroaci është. S’di çfarë informata keni marrë.”
BONUS VIDEO| Abelard Tahiri: VV-ja “nuk është më parti, por ka ushtarë të Dejona Mihalit”







