Siria ka marrë vendim për njohjen e pavarësisë së Kosovës sot në një takim trilateral që u mbajt në Riad të Arabisë Saudite mes Republikës së Kosovës, që u përfaqësua nga presidentja Vjosa Osmani, Republikës Arabe të Sirisë, përfaqësuar nga presidenti Ahmed al-Sharaa, si dhe Mbretëria e Arabisë Saudite si ndërmjetëse, e cila u përfaqësua nga Princi i Kurorës, Muhammed bin Salman Al Saud.

Për këtë ngjarje ka reaguar vetë Damasku përmes Ministrisë së Jashtme, e cila lëshoi një komunikate për media që e postoi në X.

“Republika Arabe e Sirisë njofton njohjen zyrtare të Republikës së Kosovës si shtet i pavarur dhe sovran, duke u bazuar në besimin e saj të fortë në të drejtën e popujve për të përcaktuar fatin e tyre dhe përkushtimin e saj për të forcuar parimet e paqes dhe stabilitetit në Ballkan dhe në botë”, thuhet ndër të tjera në komunikatë.

بيان صادر عن وزارة الخارجية والمغتربين في الجمهورية العربية السورية pic.twitter.com/Tr62i6bSzX

— وزارة الخارجية والمغتربين السورية (@syrianmofaex) October 29, 2025

Damasku tha se pret me padurim “krijimin e marrëdhënieve diplomatike me Republikën e Kosovës sa më shpejt të jetë e mundur dhe zhvillimin e bashkëpunimit dypalësh në fushat politike, ekonomike dhe kulturore, në një mënyrë që shërben interesave të përbashkëta të të dy vendeve dhe popujve miq”.

Komunikata e plotë:

Damask, 29 tetor 2025 – Në Rijad, kryeqyteti i Mbretërisë së Arabisë Saudite, u mbajt një takim trilateral në mes të Republikës Arabe të Sirisë, Mbretërisë së Arabisë Saudite dhe Republikës së Kosovës. Diskutimet u përqendruan në mënyrat për të thelluar marrëdhëniet dhe mirëkuptimin e ndërsjellë, përfshirë çështjen e njohjes reciproke dhe hapjen e perspektivave për bashkëpunim dypalësh.

Në këtë kontekst, Republika Arabe e Sirisë njofton njohjen zyrtare të Republikës së Kosovës si shtet i pavarur dhe sovran, duke u bazuar në besimin e saj të fortë në të drejtën e popujve për të përcaktuar fatin e tyre dhe përkushtimin e saj për të forcuar parimet e paqes dhe stabilitetit në Ballkan dhe në botë.

Ministria e Punëve të Jashtme dhe e Diasporës thekson se kjo vendimmarrje bëhet brenda kornizës së politikës së jashtme të Sirisë, e cila synon zgjerimin e urave të bashkëpunimit dhe hapjes me vendet mike në një mënyrë që i shërben interesave të përbashkëta dhe forcon marrëdhëniet e miqësisë mes popujve.

Republika Arabe e Sirisë shpreh gjithashtu mirënjohjen e thellë për përpjekjet e Mbretërisë së Arabisë Saudite dhe rolin e saj në afrimin e pikëpamjeve dhe mbështetjen e dialogut dhe mirëkuptimit, çka ka kontribuar në krijimin e kushteve të përshtatshme për marrjen e këtij vendimi.

Damasku pret me padurim krijimin e marrëdhënieve diplomatike me Republikën e Kosovës sa më shpejt të jetë e mundur dhe zhvillimin e bashkëpunimit dypalësh në fushat politike, ekonomike dhe kulturore, në një mënyrë që shërben interesave të përbashkëta të të dy vendeve dhe popujve miq.