Njohës të protokollit vlerësojnë se Rakiqi shkeli ligjin duke “zhdukur” flamurin

Flamuri i Republikës së Kosovës nuk ndodhet në asnjë cep të Zyrës së zëvendëskryeministrit nga Lista Serbe, Goran Rakiq.

Duke qenë edhe ministër i Pushtetit Lokal, në asnjë takim zyrtar të tij nuk është parë flamuri shtetëror, raporton KOHA.

Zyra e ministrit Rakiq, nuk ka kthyer përgjigje në pyetjet e televizionit nëse flamuri i Kosovës është brenda zyrës së tij.

Zyra e Kryeministrit, Avdullah Hoti, përmes një përgjigje me shkrim, ka mohuar se partneri qeverisës nga Lista Serbe, Goran Rakiq, të ketë hequr flamurin e Kosovës nga Zyra e tij.

“Zëvendëskryeministri Goran Rakiq nuk e ka hequr asnjë simbol të Kosovës, as flamurin nga Zyra e tij. Çështja e përdorimit të simboleve është e përcaktuar nga protokolli i shtetit, prandaj secili zyrtar është i obliguar t’i përmbahet këtij protokolli. Sa i përket rastit të përfolur në media, ju sigurojmë se simbolet janë aty ku kanë qenë dhe nuk ka pasur asnjë heqje të tyre”, thuhet në përgjigjen e Zyrës së Kryeministrit.

Por, pararendësja e Rakiqit, ish-ministrja e Pushtetit Lokal, Emilja Rexhepi, nuk e kishte fare problem ta mbante në zyrë flamurin e Kosovës.

Ndërkaq, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka thënë se kush nuk respekton ligjet dhe simbolet e Republikës nuk ka vend në institucione.

“Edhe në kohën kur kam qenë kryeministër i vendit përfaqësuesit e të gjitha komuniteteve i kanë respektuar institucionet, Kushtetutën, ligjet dhe simbolet e shtetit të Kosovës, përndryshe nuk ka qëndruar asnjë minutë në zyrën e tij, tash pyesni zotin Hoti. Kush nuk respekton ligjet e Kosovës nuk ka vend në institucione”, ka thënë Thaçi.

Edhe njohës të protokollit konsiderojnë se zëvendëskryeministri Rakiq ka bërë shkelje ligjore, pasi nuk ka respektuar simbolet e shtetit. Tomor Avdia vlerëson se, në bazë të fotografive nga zyra e informacionit e Qeverisë, Rakiqi ka shkelur protokollin dhe ligjin.

Flamuri i Kosovës nuk u shfaq as në takimin e së mërkurës të ministrit Rakiq me ambasadorin e Britanisë, Nicholas Abbot, e as në takime të tjera zyrtare me ambasadorin amerikan, Philip Kosnett, dhe shefen e Zyrës së BE-së, Nataliya Apostollova.