Njeriu i Trumpit: Uashingtoni, Parisi dhe Londra s’di pse po lejojnë të mbahet Thaçi në burg, dikush po bën politikë

Diplomati Richard Grenell, ish i dërguar special për Ballkanin Perëndimor i Presidentit Trump, ka dhënë një intervistë për emisionin “Opinion”, kur ka folur edhe për faktin që Hashim Thaçi, vijon të mbahet i burgosur.

Grenell tha se është e papranueshme që një njeri të burgoset pa akuza specifike dhe shprehu habi për faktin që Perëndimi nuk ka reaguar, duke filluar nga Uashingtoni dhe Brukseli.

“Është e tepërt që Komuniteti Ndërkombëtar e lejon të vazhdojë një gjë e tillë. Nuk e di pse po e lejon Uashingtoni, Berlini, Parisi apo Brukseli. Është e papranueshme të dënosh dikë me burg pa pasur akuza shumë specifike. Dhe kjo gjë ndodhi pas 20 vjetësh, kur ai po shkonte për të nënshkruar një marrëveshje. Vjen erë politikë…”, tha Grenell.

Pjesë nga intervista:

FEVZIU: A jeni 100 % të sigurt që administrata amerikane nuk ka folur ndonjëherë për shkëmbim territorial?

GRENELL: Edhe një herë, nuk e di se kujt po i referoheni, John Boltonit apo të tjerëve, që pretendojnë se kanë bërë diskutime të tilla, ndoshta është kështu, por unë po të them të vetmen gjë që di. Nuk ka ndodhur kurrë në praninë time. Nuk e kam diskutuar dhe as negociuar, nuk e kam bërë, sepse Donald Trumpi s’e ka mbështetur këtë ide. Cilido që ka folur për këtë, gjithmonë nëse kanë folur, e kanë diskutuar pa referenca, jo se janë bazuar te Donald Trumpi.

FEVZIU: Le të themi se shtatori i vitit 2020 ka qenë përplasja më e madhe e Kosovë-Serbi që pas luftës. Në qershor 2020, presidenti Hashim Thaçi, do të vinte në Uashington për të nënshkruar marrëveshjen, por u ndalua, sepse ishte i akuzuar për krime lufte. Çfarë ndodhi me Hashim Thaçin?

GRENELL: Nuk e di me siguri, por di të them se presidenti Thaçi ka arritur në atë pikë të negociatave.

FEVZIU: Ai do të udhëtonte drejt Zyrës Ovale.

GRENELL: Po, mendoj se është e tmerrshme që të ndalohesh në këtë mënyrë. Nuk e di se çfarë ndodhi me siguri, por ajo që mund të të them është se në atë pikë të negociatave, Thaçi kishte marrë vendime të mira për të vendosur paqen. Ishin vendime të mira, por edhe të ashpra, ishim në rrugën e duhur. Pas më shumë se 20 vjetësh, Gjykata Ndërkombëtare nxori diçka, por momenti kur e bënë ishte skeptik dhe i tmerrshëm. Bota Perëndimore duhet të kthejë sytë pas dhe të thotë: “Diçka nuk po shkon. Dikush është duke luajtur me politikën.” Do të bëja thirrje për çdo përfaqësues perëndimor, qeveri, agjenci për të punuar fort dhe për të nxjerrë Thaçin nga burgu. Është e papranueshme që ta mbash në qeli kaq gjatë, pa akuza të qarta.

FEVZIU: Askush nuk e di se sa gjatë do të vuajë dënimin.

GRENELL: Është e papranueshme.

FEVZIU: Thuhet se mund të kalojë 10 vjet përmes këtij procesi dhe në fund të të cilit të mos ketë asnjë të drejtë.

GRENELL: Është e tepërt që Komuniteti Ndërkombëtar e lejon të vazhdojë një gjë e tillë. Nuk e di pse po e lejon Uashingtoni, Berlini, Parisi apo Brukseli. Është e papranueshme të dënosh dikë me burg pa pasur akuza shumë specifike. Dhe kjo gjë ndodhi pas 20 vjetësh, kur ai po shkonte për të nënshkruar një marrëveshje. Vjen era politikë.

FEVZIU: Z.Grenell, ka diçka mes Perëndimit, kryesisht SHBA-së dhe disa shteteve të tjera me Shqipërinë. Hashim Thaçi është në burg aktualisht, ish-kryeministri Berisha është shpallur i padëshiruar nga Departamenti Amerikan i Shtetit, por nga ana tjetër kemi të bëjmë me Gruevskin, i cili ka ndërmarrë vendime të gabuara, por përsëri është i lirë në Hungari. Çfarë ka me shqiptarët? Për politikën amerikane, a është Shqipëria një target?

GRENELL: Shpresoj që qeveria amerikane të jetë më konsistente. Ne duhet të punojmë fort për të nxjerrë në pah korrupsionin e vërtetë dhe të jemi shumë të qartë në strategjitë që përdorim. Nuk mendoj se qeveria amerikane ka qenë konsistente dhe kjo është për të ardhur keq, duhet të kemi një sistem më të drejtë.

FEVZIU: Si do të jetë marrëdhënia me SHBA-në dhe Serbinë, tani që Vuçici kundërshtoi për vënien e sanksioneve ndaj Putinit?

GRENELL: Një gjë e kemi të qartë. Amerika dhe aleatët e saj duhet të mbështesin Ukrainën dhe të jenë shumë të qartë për papranueshmërinë e ofensivës së Putinit.