QKUK

Njëri nga tre të plagosurit në gjendje të rëndë, Uka thotë se pacienti iu nënshtrua një intervenimi të gjatë kirurgjik

Njëri nga tre të plagosurit me inicialet J.B i moshës 51 vjeçare (1973) është në gjendje të rëndë shëndetësore nga të shtënat me armë zjarri në mbrëmjen e së mërkurës në Pejë.

Lajmin për Telegrafin e ka konfirmuar shefi i Klinikës Intensive në QKUK, Shaqir Uka i cili tregoi se pacienti i është nënshtruar një intervenimi kirurgjik, i cili siç tha ai ka zgjatur që nga mesnata deri në orët e mëngjesit.

Uka tutje tregoi se plagët e pacientit janë në zonën abdominale (në fundin e barkut).

“Po njëri nga të plagosurit është në Klinikën Intensive duke u trajtuar. Plagët janë në regjionet e poshtme të barkut (abdomenit) që kanë përfshi lëndimet të enëve të mëdha të gjakut, dëmtime të kockës në këmbën e majtë të cilat kanë qenë shumë gjakderdhëse…Pacienti vazhdon të jetë në gjendje shumë të rëndë shëndetësore. Pacienti i është nënshtruar intervenimit kirurgjik i cili ka zgjatur nga mesnata deri në orët e mëngjesit”, tha Uka.

Ndryshe, mbrëmjen e së mërkurës tre persona janë plagosur si pasojë e të shtënave me armë zjarri në Pejë.

Një person është arrestuar lidhur me plagosjen e tre personave që ndodhi mbrëmë në Pejë. Lajmin për Telegrafin e ka konfirmuar prokurori Ersan Qavolli. Ai tha se i dyshuari është ndaluar për 48 orë.