Shtetet e Bashkuara, Britania dhe Kanadaja vendosën të premten sanksione të reja ndaj Iranit në prag të përvjetorit të vdekjes së 22 vjeçares Mahsa Amini në duart e policisë morale të Iranit, ndërsa ajo ishte në burg. Vdekja e saj shkaktoi muaj protestash antiqeveritare, të cilat u shtypën me dhunë.

Mahsa Amini vdiq më 16 shtator të vitit të kaluar pasi u arrestua nën dyshimet se kishte shkelur kodin e veshjes së Republikës Islamike të Iranit. Vdekja e saj u pasua me një nga valët më të mëdha të protestave antiqeveritare ndër vite në Iran. Forcat iraniane të sigurisë janë dislokuar në qytetin e saj të lindjes në pritje të protestave të reja këtë fundjavë.

Shtetet e Bashkuara, Britania dhe Kanadaja, së bashku me Bashkimin Evropian, kanë njoftuar raunde të shumta sanksionesh ndaj Iranit, duke përmendur shtypjen e përhapur dhe shpesh të dhunshme të protestave pas vdekjes së Mahsa Aminit.

“Vdekja tragjike dhe e pakuptimtë e Mahsa Aminit në burgun e të ashtuquajturës “Policia e Moralit” shkaktoi protesta në të gjithë Iranin që u pasuan me shtypje të dhunshme, arrestime masive, ndërprerje sistematike të internetit dhe censurë nga regjimi iranian”, tha përmes një deklarate Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken.