Christian Panucci nuk është më trajneri i kombëtares kuqezi pasi është shkarkuar nga detyra vetëm pak orë pas humbjes ndaj Turqisë me rezultatin 0-2 brenda në Loro Boriçi.
FSHF bëti me dije se në ndeshjen e së hënës ndaj Andorrës në udhëtim kuqezinjtë do të drejtohen nga Ervin Bulku dhe Sulejman Mema si dhe pjesa tjetër e stafit aktual.
Ndërkohë që emri i trajnerit të ri do të zyrtarizohet gjatë ditëve në vazhdim, është një tjetër italian favorit për të zënë vendin e Panuccit te Shqipëria dhe bëhet fjalë për Edoardo Reja.
Nga së mësohet nuk ka qenë pa arsye vizita e Rejës në Shkodër për të ndjekur nga afër kombëtaren kuqezi. Ish trajneri i Napolit dhe Lazios në përfundim të duelit ndaj turqëve ka patur një takim kokë më kokë me presidentin Armand Duka ku mesa duket ka arritur edhe një marrëveshje për t’u ulur në stolin e kuqezinjëve.
73-vjeçari i cili eksperiencën e fundit e ka patur te Atalanta në sezonin 2015-2016, nëse zyrtarizohet te Shqipëria do të drejtojë për herë të parë në karrierën e tij një skuadër kombëtare.







