Policia

Një polic aktualisht paguhet 392 euro, Sindikata e quan të papranueshëm dhe diskriminues Projektligjin e Pagave

Kryetari i Sindikatës së Policisë së Kosovës, Imer Zeqiri është duke raportuar sot në Komisionin për Siguri, ku ka folur për shqetësimet që kanë zyrtarët policor dhe gjendjen në të cilën është ky institucion i sigurisë.

Zeqiri ka thënë se për ta është i papranueshëm Projektligji i Pagave i cili u është ofruar.

“Na është ofruar një Projektligj së bashku me koeficientet që janë përcaktuar, i kemi analizuar dhe fillimisht po them që për Sindikatën e Policisë ky Projektligj që në start është i papranueshëm për shkak se nuk kemi çmim të koeficientit, vlera e koeficientit për ne është e panjohur. Është e papranueshme rangimi i koeficienteve të Policisë së Kosovës në krahasim me institucionet tjera”, ka thënë Zeqiri.

Ai ka shtuar se kjo është diskriminuese për Policinë e Kosovës, duke thënë se paga aktuale e një polici sot është 392 euro.

“Aktualisht paga e policit është 392. Është i papranueshëm Projektligji që neve na është ofru me këtë koeficiente”, u shpreh Zeqiri.

Kryetari i Sindikatës së PK-së, më tej ka thënë se shqetësim i madh për Policinë e Kosovës mbetet edhe sigurimi shëndetësor, i cili është folur tash e sa vite.

“Institucioni i vetëm i sigurisë në vend pa sigurim shëndetësorë. Kemi kërkuar që Projektligji për sigurim shëndetësorë të hyjë në agjendë, por siç duket nuk është në rend”, tha Zeqiri.

Ai tregoi se aktualisht Policia e Kosovës numëron 9 mijë e 119 punonjës, përfshirë edhe pjesën e stafit civil dhe zyrtarët të uniformum.

“Prej themelimit të Policisë së Kosovës kemi 21 zyrtarë policor të vrarë gjatë kryerjes së detyrave zyrtare, kemi 300 zyrtarë policor që kanë vdekur në detyrë, 426 zyrtarë policor të lënduar gjatë kryerjes së detyrave zyrtare, 237 zyrtarë policor që janë sëmur gjatë kryerjes së detyrave zyrtare dhe 528 raste me sëmundje të veçanta”, tha Zeqiri.

Zeqiri tregoi se prej fillimit të pandemisë 25 zyrtarë policor kanë humbur jetën nga pandemia dhe rreth 2500 zyrtarë janë infektuar. Ai shtoi se prej themelimit të Policisë së Kosovës, 1,108 zyrtarë policor kanë dhënë dorëheqje vullnetare.

“Këto shifra janë tregues i sfidave të zyrtarëve policor gjatë këtyre viteve, dhe mendojmë që policia duhet të ketë trajtim më të dinjitetshëm”, tha Zeqiri.