Gjykata Themelore

Një muaj paraburgim për Korab Gashin, u arrestua dje për grabitjen e argjendarisë në Suharekë

Gjykata Themelore në Prizren i ka caktuar një muaj paraburgim njërit prej të dyshuarve për grabitjen në argjendarinë në Suharekë që ka ndodhur në nëntor të vitit 2023.

Ai thuhet se dyshohet për veprat penale “grabitje” dhe “ndihmë në grabitje”.  

I dyshuari K.G. sipas njoftimit të Gjykatës është arrestuar të hënën dhe masa e paraburgimit do të mund të zgjasë deri më datën 01.08.2024. 

Gjykata me rastin e caktimit të paraburgimit, ndaj të pandehurit thuhet se ka vlerësuar se ekzistojnë arsyet ligjore për caktimin e kësaj mase. 

Në njoftimin e Gjykatës është përshkruar edhe se si ka ndodhur grabitja. 

“Nga provat e mbledhura deri në këtë fazë, rrjedh dyshimi i bazuar se më datë 22 nëntor 2023, në qytetin e Suharekës, në rrugën ‘Brigada, saktësisht në lokalin Argjendaria ‘Diakos’ me përdorim të forcës dhe kanosjes serioze për të sulmuar jetën apo trupin e personit tjetër duke vepruar si anëtarë të grupit të armatosur, përvetësojnë pasurinë e luajtshme të personave tjerë – të dëmtuarve T.B., dhe A:B:, , me qëllim që t’i sjellin vetes dhe anëtarëve tjerë të grupit dobi pasurore të kundërligjshme, në atë mënyrë që të pandehurit B.B., B:I., K.G., D.G., dhe L.C., që të gjithë të maskuar, të veshur me rroba të zeza dhe me doreza në duar, të gjithë të pajisur me armë frontale të gjata, njëri prej tyre me armë të gjatë në duar kryen rolin e rojës ndërsa të tjerët futen brenda në argjendari dhe nën kërcënimin e armëve marrin peng pronarin e lokalit të cilin e lidhin me lidhëse plastike për të neutralizuar rezistencën e tij dhe pastaj fillojnë me grabitjen e arit duke demoluar vitrinat dhe xhamat, ku edhe arrijnë të marrin ari duke shkaktuar humbje në shkallë të madhe dhe ashtu të maskuar dhe me armë të gjata në duar, me veturën e markës ‘Chevrolet Cruze’ ngjyrë hiri me targa ……., largohen në drejtim të rrugës ‘Avdyl Rama’ për të vazhduar nga fshati Sopijë e në drejtim të fshatit Budakovë, që lidhet me fshatin Jezercë të Ferizajt, nga ku edhe bëhen të paarritshëm, dhe që nga ajo kohë i njëjti ka qenë në arrati”, thuhet në njoftim.

Tutje thuhet se i pandehuri K.G., me datë 16 nëntor 2023, me dashje ndihmon kryerësit e veprës penale “grabitje”. “”Me datë 22.11.2023, ashtu që i pandehuri K.G., fillimisht merre me qira automjetin e markës ‘Shkoda Fabia’, ngjyrë e verdhë, ku pas marrjes me qera të automjetit, i njëjti me këtë automjet shkon në komunën e Deçanit dhe bënë blerjen e automjetit ‘Chevrolet’, me qëllim që të pandehurit të njëjtin automjet ta përdorin në kryerjen e Grabitjes në argjendarin ‘Diakos’ në Komunën e Suharekës”, thuhet në njoftim.

Në njoftim thuhet se nëse do të argumentohen këto fakte do të vlerësohet në fazat e mëtejme të procedurës penale.

“Me rastin e caktimit të paraburgimit, Gjykata ka marrë parasysh faktin se rasti është në fazën të hetimeve, dhe do të merret në pyetje të pandehurit e arrestuar, të dëmtuarit, dhe dëshmitarët eventualë. Andaj me lënien në liri të të pandehurit ekziston i posaçëm se i njëjti do të pengojë rrjedhën e procedurë hetimore, duke tentuar të ndikojnë në dëshmitarë apo tek bashkë të pandehurit”, thuhet në njoftim.

Po ashtu thuhet se duke marrë parasysh faktin se i dyshuari që nga koha kur dyshohet të jenë kryer veprat penale, i njëjti ka qenë në arrati deri në ditën e arrestimit. 

“Gjykata ka konstatuar se caktimi i masës së paraburgimit në këtë fazë është i domosdoshëm, duke marrë parasysh peshën e rëndë të veprave penale për të cilat dyshohet i pandehuri, dhe rrethanat në të cilat dyshohet se janë kryer veprat penale, duke ndërmarrë veprime të rrezikshme, këto veprime të të pandehurit tregojnë këmbëngulësin e tij në kryerjen e veprës penale, të gjitha këto shtojnë dyshimin se me lënien e të të pandehurit në liri i njëjti mund të përsëris veprën penale”, thuhet në njoftim.