Një muaj paraburgim për burrin që plagosi një tjetër për një vend të shitjes në tregun e veturave

I është caktuar masa e paraburgimit prej 30 ditësh, për burrin i cili plagosi një tjetër, mëngjesin e së dielës në Tregun e Veturave në Prishtinë.

Gjykata Themelore në Prishtinë, saktësisht Departamenti për Krime të Rënda, njofton se ka vendosur lidhur me kërkesën e Prokurorisë Themelore të Republikës së Kosovës për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit Z.Z. për shkak të veprave penale Vrasje në tentativë, Përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm dhe Mbajtja në pronësi të paautorizuar të armëve.

“Gjykata ka marrë aktvendim dhe të pandehurit Z.Z. i ka caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej një (1) muaji”, thuhet në njoftimin e Gjykatës, teksa ky vendim arsyetohet me faktin se “ekziston dyshimi i bazuar se me datën 28.07.2019 në tregun në zonën industriale në Prishtinë, pas një mosmarrëveshjeje rreth vendit të shitjes në mes të pandehurit Z.Z. dhe të dëmtuarve – dëshmitarëve I.H. dhe M.H. si dhe dëshmitarit Z.XH., i pandehuri ka shtënë në drejtim të të dëmtuarit B.D., me ç‘rast i ka shkaktuar lëndime të rënda trupore dhe pastaj iu ka drejtuar armën edhe të dëmtuarve – dëshmitarëve tjerë”.

Me këtë rast, Gjykata ka konstatuar se është përmbushur kriteri nga neni 187 par.1 nën. par.1.1 dhe 1.2, pika 1.2.1., 1.2.2 dhe 1.2.3 të KPPK-së, si kusht i veçantë për caktimin e masës së paraburgimit.

Kundër këtij vendimi palët kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit të Kosovës.

loading…