Një muaj paraburgim për burrin nga Kamenica që me shufër metalike vrau gruan e tij

Gjykata Themelore në Gjilan ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore të Gjilanit, duke i caktuar masën e paraburgimit prej 30 (tridhjetë) ditë të pandehurit N. M.  

Ekziston dyshimi i bazuar se gjatë ditës së djeshme, në fshatin Berivojcë, komuna e Kamenicës, i dyshuari N.M., pas mosmarrëveshjeve familjare, me një mjet të fortë – shufër metalike, godet bashkëshorten e tij në kokë dhe pjesë të tjera të trupit, me ç’rast të ndjerës i ka shkaktuar plagë të cilat kanë qenë vdekjeprurëse.

Me këto veprime i pandehuri dyshohet të ketë kryer veprën penale “vrasje e rëndë”  vepër e sanksionuar me Kodin Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).

Gjyqtari i procedurës paraprake në Departamentin e Krimeve të Rënda, pas shqyrtimit të shkresave të lëndës, ka konsideruar se janë përmbushur kushtet ligjore për caktimin e masës së paraburgimit, duke marr për bazë peshën e veprës penale, ku minimumi i dënimit parashihet 10 vite, ndërsa maksimumi burgim i përjetshëm dhe caktimi i masave alternative do të ishin të pamjaftueshme për zhvillimin me sukses të procedurës penale.

Palët kanë të drejtën e ankesës ndaj këtij vendimi në Gjykatën e Apelit.